Lidhje

Presidenti Bush: Papa la pas një trashëgimi bujarie


Presidenti Bush tha se funerali i Papës Gjon Pali i Dytë ndihmoi për të riafirmuar besimin e tij personal. Ai tha se Papa la pas një trashëgimi të qartë bujarie.

Presidenti Bush tha se e dinte që funerali i Papës do të ishte madhështor por nuk e kishte menduar se do të emocionohej aq shumë nga ceremonitë dhe nga muzika.

Duke folur për gazetarët në bordin e avionit presidencial gjatë kthimit për në Shtetet e Bashkuara, Presidenti Bush tha se ceremonitë e ndihmuan të forconte besimin e tij personal, besim për të cilin ai tha se i ngjan një rruge dhe jo një momenti të vetëm në kohë.

Presidenti Bush e quajti pjesmarrjen në funeralin e Papës një nga pikat e spikatura të presidencës së tij. Ai tha se i kishte bërë më tepër përshtypje skena finale e arkivolit të cilit i binin rrezet e diellit mbi shenjen e gdhendur sipër.

Presidenti Bush është presidenti i parë amerikan që merr pjesë në funeralin e një pape ndërkohë që shërben në këtë post. Ai kryesoi delegacionin ku përfshihej i ati i tij, ish presidenti George Herbert Walker Bush, ish presidenti Bill Clinton, Zonja e Parë Laura Bush dhe Sekretarja e Shtetit Condoleezza Rice.

Presidenti Bush e ka takuar Papën në tre raste. Në qershor të vitit të kaluar në Romë, Papa Gjon Pali përsëriti kundërshtimin e tij ndaj luftës në Irak dhe e kritikoi Presidentin Bush për abuzimet në burgun Abu-Ghraib të Irakut. Por të dy ata kanë qenë aleatë në shumë aspekte të tjera të jetës sociale, përfshirë kundërshtimin e abortit dhe të martesave midis njerëzve të të njëjtit seks.

Presidenti Bush u tha gazetarëve në sallën e konferencave të avionit presidencial se Papa la një trashëgimi të fortë të paqes dhe bujarisë. Ai tha se kjo ishte një trashëgimi e fuqishme e dhënies së një toni të qartë moral dhe se donte të sigurohej që këto fjalë e karakterizonin si duhej trashëgiminë e Papës.

Ky karakerizim ndryshon pak nga vlerësimi i Presidentit Clinton. Gjatë fluturimit me avion për në Romë, zoti Clinton u tha gazetarëve se Papa la një trashëgimi të përzier.

Zoti Clinton tha se rreth Papës do të bëhen debate, por se në përgjithësi, Papa ishte një njeri i Zotit dhe një njeri me ide të qendrueshme i cili bëri atë që mendonte se ishte e drejtë.

Disa katolikë amerikanë janë kundër ndalimit nga Vatikani të kontrollit artificial të lindjeve, shugurimit të grave si priftëresha dhe homoseksualitetit.

Presidenti Clinton u kthye në Shtetet e Bashkuara me një avion presidencial rezervë. Presidenti Bush dhe i ati i tij udhëtuan me avionin kryesor presidencial për në Teksas, ku të hënën presidenti do të takohet me kryeministrin izraelit Ariel Sharon.

XS
SM
MD
LG