Lidhje

Forcimi i rregullave për vizat, po pengon programet e shkëmbimit Fulbright


9 prilli shënon 100 vjetorin e lindjes së ish-Senatorit amerikan J.William Fulbright, që ishte mbrojtës i fortë i mirëkuptimit ndërkombëtar dhe krijoi një program shkëmbimesh studimore që themeloi bursat aq të njohura Fulbright. Por tani thuajse 60 vjet pas themelimit të programit, disa njerëz po shprehin mendimin se Shtetet e Bashkuara nuk janë më aq të hapura ndaj studiuesve të huaj.

Pas sulmeve terroriste të 11 shtatorit, Shtetet e Bashkuara i bënë më të rrepta kërkesat për viza për studentët, pedagogët dhe studiuesit ndërkombëtarë.

Pas masave më të rrepta të sigurisë dhe rasteve tashmë të njohura të profesorëve të huaj, të cilëve nuk u janë dhënë, ose u janë hequr vizat, disa kritikë filluan të shtrojnë pyetjen nëse Shtetet e Bashkuara po kultivojnë një mendësi kështjelle. Victor Johnson është drejtor i politikës publike për NAFSA-n: Shoqata për Arsimtarët Ndërkombëtarë.

“Të gjithë këto kontrolle që ne ushtrojmë duke vështirësuar hyrjen në këtë vend dhe një proces më të gjatë për ta realizuar një gjë të tillë, kontribuojnë në krijimin e përshtypjes se ne nuk jemi vend mikpritës”.

Por jo gjithshkush ka këtë përshtypje. Profesorja Pek Koon Heng e cila ka pasaportë malajziane, është pedagoge e studimeve aziatike në Universitetin Amerikan në Washington DC.

Ajo thotë se të punosh në një qytet ku demokracia dhe të drejtat e njeriut diskutohen si nga qeveria amerikane, ashtu edhe brenda auditorit të saj e bën edhe më interesante studimin e çështjeve ndërkombëtare.

“Të vish këtu dhe të jesh i përfshirë në këto diskutime për çështjet e mëdha dhe unë të kem mundësinë të sjell pikpamjen time nga Azia juglindore apo të ofroj mënyra të reja të menduari tek studentët, ka qenë shumë stimuluese”, thotë studiuesja.

Analistët thonë se studentët e huaj vazhdojnë të jenë një pjesë jetike e arsimit universitar në Amerikë.

Në vitin 2003, mbi 84 mijë studiues ndërkombëtarë punonin në universitetet amerikane.

Dhe numri i studiuesve ndërkombëtarë që vijnë në Shtetet e Bashkuara ka rënë me më pak se 2 mijë që nga 11 shtatori 2001.

Pjesërisht kjo rënie nuk ka të bëjë me shtimin e kufizimeve për vizat: Kina dhe Koreja e Jugut janë vendet me rënien më të madhe. Sistemet e tyre universitare po zgjerohen dhe këto vende kanë nevojë vetë për studiuesit e tyre.

Allan Goodman është President i Institutit të Arsimit Ndërkombëtar dhe administron programin Fulbright për Departamentin e Shtetit.

“Kushtet bazë që e bëjnë një profesor të dojë të vijë këtu dhe një profesor amerikan të dojë të shkojë të studiojë në Evropë, ose në Lindjen e Mesme, ato forca nxitëse nuk kanë ndryshuar kështuqë profesorët vazhdojnë të lëvizin nga njëri vend në tjetrin. Vetëm se kjo është bërë pak më e vështirë në periudhën pas 11 shtatorit”.

Ndërsa Victor Johnson thotë se imazhi i Shteteve të Bashkuara mund të dëmtohet nga ideja se studiuesit e huaj nuk janë të mirëpritur.

“Ne nuk jemi i vetmi vend me universitete të mira dhe qendra të përparuara studimore ku studiuesit mund të bëjnë punën e tyre. Ata lehtësisht mund të shkojnë në vende të tjera nëse nuk ndihen të mirëseardhur”, thotë Johnson.

Organizata NAFSA po i kërkon qeverisë amerikane që të bëjë më efektiv procesin e kontrollit të sigurisë, t’u japë udhëzime më të qarta zyrave konsullore amerikane, të punësojë më shumë njerëz në këto zyra dhe ta bëjë më transparent të gjithë procesin. Qeveria amerikane ka bërë disa përmirësime në këtë drejtim, por ato ende nuk po ndihen jashtë vendit.

XS
SM
MD
LG