Lidhje

Lulet e Qershive në Uashington


Lulet e qershive kanë çelur përgjatë lumit Potomak në Washington dhe pritet të rezistojnë edhe për disa ditë. Kjo është një nga periudhat e vitit kur turistët dhe banorët e qytetit shijojnë më shumë bukurinë e kryeqytetit të vendit.

Lulet e qershive, të çelura plotësisht kriijojnë një pamje spektakulare dhe për shumë njerëz përbëjnë simbolin e mbërritjes së pranverës. Gonxhet mbushin pemët në fund të muajit mars dhe në varësi të motit, ato çelin nga fillimi deri në mes të muajit prill. Qeveria japoneze i dha drurët e parë të qershive Shteteve të Bashkuara në vitin 1912.

Shumica e pemëve rrethojnë një zonë përgjatë lumit Potomak që është pjesë e Kopshtit Kombëtar përreth monumenteve të presidentëve Uashtington, Jeferson dhe Linkoln. Shërbimi Kombëtar i Parqeve llogarit se çdo vit një milionë njerëz vizitojnë këtë zonë të qytetit. Cathy është një nga banorët e Virxhinias në afërsi. “Është shumë interesate të shikosh kaq shumë njerëz nga vende nga më të ndrysimit që vinë për të parë lulet e qershive”. Margin Shaper është turiste nga Izraeli. “Stina e pranverës është një periudhë e vitit kur mund të vish në Uashington, e mes të tjerash të shikosh lulet e qershive”.

Për të tërhequr më shumë turistë, qyteti i Uashingtonit organizon një sërë aktivitetesh në ditët kur çelin qershitë, duke përfshirë edhe një festival dhe një paradë. Pasi çelin plotësisht, lulet e qershive zgjatin për një javë ose pak më gjatë, në qoftë se nuk rëzohen nga ndonjë erë e fortë apo shira të dendur.

XS
SM
MD
LG