Lidhje

Maqedoni: Raundi i dytë i zgjedhjeve vendore në 20 komuna


Në Maqedoni nesër zhvillohet raundi i dytë i zgjedhjeve vendore në 20 komuna. Ky raund është vendimtar për partitë politike, pasiqë konkurrenca mes tyre zhvillohet në qytetin e Shkupit dhe Tetovës.

Partitë shqiptare pritet të fitojnë në 6 komuna, përfshirë këtu edhe Tetovën. Raundi i dytë i zgjedhjeve vendore do të zhvillohet të dielën në 9 komuna, ndërkaq në 11 komuna do të përsëriten votimet e raundit të dytë, për shkak të parregullësive që u shënuan më 27 mars.

Në këtë raund do të zgjidhen kryetarët e komunave kryesore të vendit, Shkupit, Tetovës, Kumanovës, Kërçovë dhe komunave të tjera.

Në qytetin e Shkupit pritet të fitoj Trifun Kostovski kandidat i pavarur, i mbështetur nga opozita maqedonase, sepse kandidati i partive të koalicionit qeveritar Risto Penov është tërhequr nga gara zgjedhore, për shkak të humbjes së thellë në raundin e parë.

Në Tetovë dhe në 4 komuna të tjera të banuara me shqiptarë pritet të fitojnë kandidatët e partisë shqiptare në pushtet Bashkimi Demokratik për Integrim, pasi dy partitë opozitare shqiptare Partia Demokratike Shqiptare dhe Partia për Prosperitet Demokratik bojkotojnë zgjedhjet.

Në dy raundet zgjedhore që u zhvilluan më 13 dhe 27 mars në shumicën e zonave zgjedhore të vendit janë zgjedhur 64 kryetar komunash, prej të cilëve 13 shqiptarë. Në Maqedoni zgjedhjet vendore për herë të parë organizohen mbi bazën e një plani të ri të decentralizimit në 84 komuna të vendit. Ligji i ri i decentralizimit është pjesë e Marrëveshjes së Ohrit dhe i jep më shumë kompetenca pushtetit vendor në sferën e arsimit, shëndetësisë, kulturës dhe policisë lokale.

Raundi i dytë të dielën do të vëzhgohet nga përfaqësues të OSBE-së dhe të organizatave joqeveritare të vendit. Misioni vëzhgues i OSBE-së kritikoi raundin e dytë të zgjedhjeve vendore, duke thënë se autoritetet maqedonase nuk i riparuan problemet e konstatuara në raundin e pare që u organizua me 13 mars.

OSBE-ja tha se votimet u zhvilluan përgjithësisht mirë në disa pjesë të vendit, por probleme të vazhdueshme dhe të përhapura kërcënojnë integritetin e zgjedhjeve.

Përfaqësuesit e NATO-s dhe Bashkimit Evropian bën thirrje për zgjedhje të lira dhe demokratike, sepse sipas tyre, ato do të ndikojnë në procesin e integrimit të Maqedonisë në strukturat evroatlantike.

XS
SM
MD
LG