Lidhje

Zbulohen regjistrime të yjeve të muzikës amerikane


Biblioteka e Kongresit amerikan thotë se ka zbuluar regjistrime të disa yjeve legjendare të muzikës Xhaz, Thelonious Monk, John Coltrane, Ray Charles dhe Orkestrën e Dizzy Gallespit. Regjistrimet e viteve 1957 nuk janë transmetuar asnjëherë në Shtetet e Bashkuara.

Zëri i Amerikës regjistroi në atë vit një koncert në qytetin e Nju Jorkut për ta transmetuar në mbarë botën. Një specialist i muzikës xhaz në Bibliotekën e Kongresit thotë se zbulimi i kasetave është një ngjarje shumë e rëndësishme për studiuesit dhe historianët e muzikës.

Përveç prezantimit nga gazetari Willis Conover, i mirënjohur në atë kohë për emisionin e tij muzikore në valët e Zërit të Amerikës mbi muzikën amerikane, në regjistrime përfshihet gjithashtu afro 1 orë koncert me pianistin Monk dhe kuartetin e tij si dhe me saksofonistin Koltrane. Biblioteka e Kongresit ka bërë kopie dixhitale të regjistrimit të cilat mund të shfrytëzohen nga studiuesit e muzikës dhe po shqyrton mundësinë e prodhimit të një disku për shitje.

Regjistrimi përfshin edhe interpretime nga Sonny Rollins dhe kuarteti Zoot Sims me këngëtarin Chet Baker. Koleksioni muzikor i Bibliotekës së Kongresit, më i madhi në Shtetet e Bashkuara, përfshin më shumë se 50 mijë regjistrime të Zërit të Amerikës nga viti 1946 deri në vitin 1998.

XS
SM
MD
LG