Lidhje

Mësonjëtorja e parë shqipe në Uashington


Dje në kryeqytetin Uashington u përurua mësonjëtorja e parë shqipe në këte rreth, duke kurorezuar kështu ëndrën e kaherëshme të një grupi prindërish veprimtarë shqiptaro amerikanë për ruajtjen e pasurisë së kulturës e të traditës shqiptare dhe trashëgimin e saj tek fëmijet e tyre. Por pjesmarrja relativisht e madhe e prindërve dhe fëmijëve në ditën e parë të mësimit tregon terthorazi edhe shqetesimin e këtij komuniteti të vogël ndaj frikës së humbjes së traditës dhe asimilimit të mundshëm.

“Nëna dhe babai im janë shqiptare, por jo unë. Unë jam amerikan”, thotë Richardi 9 vjecar. “Unë jam shqiptar” thotë Geri 10 vjeçar.. “Kurse unë jam shqiptar dhe amerikan”, ndërhyn anglisht Henri moshatar. Ndërsa kjo vajzë e vogël nuk është e sigurt, është ajo shqiptare apo amerikane. Prindërit i ka shqiptarë, por ajo nuk flet aspak shqip.

Disa mijera shqiptarë emigrojnë çdo vit në Shtetet e Bashkuara. Preokupimi me nevojat ekonomike e të strehimit, bën të anashkalohet fakti se me këtë hap ata, si miliona emigrantë nga mbarë bota, hynë pa dashje në vorbullën e pashmangeshme të integrimit, amerikanizimit apo të asimilimit. Dhe mundësia është shumë e madhe thotë Patricia që ka ardhur bashkë me djalin e saj 10 vjeçar. ‘‘Nuk është faji i tyre nëse nuk flasin shqip. Çdo ditë shkojnë në shkollë e pas shkolle luajnë me shokët e tyre amerikanë. Dhe ne mundohemi të flasim shqip me ta, por nuk është e lehtë”, thotë ajo.

Dhe asimilimi fillon me ndryshimin e gjuhës, që sjell vetvetiu përqafimin e kulturës së re dhe së fundi humbjen e ndjenjës së prejardhjes kombëtare. Ky asimilim kryhet me shpejtesi veçanërisht atje ku emigrantët e rinj jetojne larg njeri tjetrit e të shpërndarë dhe më i ngadalshëm atje ku ata kane krijuar komunitetet e tyre, me kisha, xhami e qendrat kulturore.

Në gjurmët e traditës së krijimit të këtyre komuniteteve shqiptare në Nju Jork, Boston, Detroit e zona të tjera, po ecin tashmë edhe shqiptarët e rrethit të Uashingtonit, të ardhur këtu kryesisht gjatë 10 viteve të fundit. Hapja e mësonjëtores, siç e quajnë organizatorët, tregon se këta prindër janë të vendosur për të bërë diçka që fëmijët dhe fëmijët e fëmijëve të tyre të mos e humbasin gjuhën dhe të mos e harrojnë vendin e prejardhjes së tyre.

Aneta Mihali Xhiku është një nga nismëtaret e hapjes së shkollës së re. Së bashku me vajzat e saj që vazhdojnë shollën e mesme, ajo përgatiti çantat për fëmijët ku me ngjyra e stil që tërheqin vemendjen e fëmijëve janë shkruar gërmat A, B, C dhe fjala “Mësonjëtorja”. Nxënësit në klasë pajisen me një Abetare, një Libër Këndimi dhe një libër me përralla shqiptare.

Një nga nismëtaret për hapjen e kësaj shkolle, Pranvera Ikonomi thotë se pjesmarrja në ditën e parë ishte e madhe përtej çdo parashikimi dhe se mësonjëtorja ka nevojë për mësues që ta kryejnë këtë detyre vullnetarisht çdo të diele. Ajo thotë se komuniteti shqiptar i rrethit të Uashinmgtonit përbëhet kryesisht nga intelektuale dhe shpreh besimin se mësonjëtorja nuk do të ndeshet me problemin e mungesës së mësuesve të gjuhës shqipe.

Organizatorët thonë se ndërsa bota shkon me shpejtesi drejt integrimeve globale, edhe rëndësia e njohjes së një gjuhe të dytë merr një përparësi. Në thelb duket se nisma e ketyre prindërve emigrantë ka këtë qëllim të dyfishtë. Sipas disa studimeve këtu në Amerikë, nxënësit që flasin një gjuhë tjeter përveç anglishtes kanë rezultate ndonjëherë deri në 30 përqind më të larta se sa moshatarët e tyre që flasin vetëm anglisht. Kur rriten, ata gjithashu janë më të suksesshëm në ekonomi e në sfera akademike.

Dita e pare e shkollës filloi me himnin kombëtar shqiptar, kënduar në korr nga prindër e fëmijë, nën tingujt e fizarmonikës interpretuar nga veprimtari Leo Çani. Pastaj nxënësit u ndanë nëpër klasa sipas moshave. Mësimi është parashikuar të zhvillohet çdo të dielë nga data 10 prill deri me 15 qershor kur fillojnë muajt e nxehtë të verës.

Nismëtari Gjegj Bojaxhi, punonjës pranë Bankës Botërore, thotë se deri atëherë numri i nxënësve pritet të shtohet prandaj qysh tani organizatorët po përpiqen të gjejnë një lokal të përshtatshëm për shkollën e tyre. Për sot ata falenderojnë drejtuesit e Bankës Botërore që mundësuan hapjen e mësonjëtores së re shqipe në një nga mjediset e kësaj banke.

XS
SM
MD
LG