Lidhje

Të drejtat e montagnardëve në Vitenam


Nëntë montagnardë etnikë u kthyen kohët e fundit në Vietnam nga Kamboxhia. Sipas një marrëveshjeje midis Vietnamit, Kamboxhias dhe Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatë, montagnardët në Kamboxhia që nuk kualifikohen si refugjatë ose vendosin të mos sistemohen në një vend tjetër, supozohet se mund të kthehen në shtëpitë e tyre në Lartësitë Qendrore të Vietnamit pa frikën e përndjekjes nga autoritetet vietnameze.

“Unë dëshiroj të falenderoj Kombet e Bashkuara për ushqimin dhe strehimin që na kanë siguruar, por tani e shoh të nevojshme të kthehem”, i tha një refugjat korrespondentit të agjencisë së lajmeve Rojters. “Nuk e di se çfarë do të ndodhë me mua, theksoi ai, por jam i gatshëm ta provoj për shkak se më ka marrë aq mall i madh për gruan dhe fëmijët.”

Nëntë refugjatët e kthyer janë mes 43 montagnardëve që kanë rënë dakord të largohen nga Kamboxhia dhe të kthehen në shtëpitë e tyre në Vietnam. Ata janë mes mijëra montagnardëve që ikën në janar të vitit 2001 për t’i shpëtuar shtypjes nga autoritetet vietnameze.

Shoqata Human Rights Watch dhe organizata të tjera jo qeveritare kanë dokumentuar në raportet e tyre rrahje e arrestime të montagnardëve si edhe konfiskimin e tokës dhe mbylljen e kishave të tyre nga ana e qeverisë vietnameze.

Shumë montagnardë kanë ikur në Kamboxhia duke menduar gabimisht se Kombet e Bashkuara mund t’i ndihmonin ata të marrin prapa tokën e konfiskuar nga qeveria vietnameze. “Kam mbetur i zhgënjyer që Kombet e Bashkuara nuk mund të më ndihmojnë të marr tokën time dhe jam nervoz”, tha një refugjat që po kthehej në Vietnam.

Ndihmës-nënsekretarja amerikane e Shtetit, Marie Hutala, thotë se montagnardët e kanë vënë vetën në një pozitës shumë të pazakontë”: “Duket se ata mendonin që duke ikur nga vendi i tyre një vend tjetër, në këtë rastg në Kamboxhia, ata do të arrinin në një farë mënyre të bindnin komunitetin ndërkombëtar që të zgjidhte problemet me të cilat përballeshin në vendlindjen e tyre, Vietnam. Fatkeqësisht, theksoi ajo, kjo ishte diçka e pamundur.”

Zonja Hutala thotë se marrëveshja mes Kamboxhias, Vietnamit dhe Kombeve të Bashkuara inkurajon kthimin e montagnardëtve në shtëpitë e tyre. Por, pasi montagnardët të riatdhesohen në Vietnam, është nevoja që të mbrohen të drejtat e tyre. Ndihmës-nënsekretarja amerikane e Shtetit thekson se Shtetet e Bashkuara vazhdojnë dialogun me qeverinë vietnameze rreth kësaj çështjeje. Ajo thyotë se qeveria amerikane dërgon rregullisht diplomatë në Lartësitë Qendrore të Vietnamit. Shtetet e Bashkuara, theksoi zonja Hutala, do të ndjekin nga afër çdo rast përndjekjeje apo probleme të tjera kundër montagnardëve pasi të kthehen në shtëpitë e tyre.

XS
SM
MD
LG