Lidhje

Ministri grek i Rendit komenton rreth Lojrave Olimpike të Athinës


Që prej sulmeve terroriste të 11 shtatorit 2001, komuniteti ndërkombëtar është më i vetëdijshëm se kurrë më parë për domosdoshmërinë e kordinimit të përpjekjeve anti-terrorismit në mënyrë që sulme të ngjashme të mos ndodhin më. Vemendje e veçantë për sa i përket kordimimit të këtyre përpjekjeve i kushtohet ngjarrjeve të rëndësishme, siç ishin për shembull Lojrat Olimpike të Athinës vitin e kaluar, të parat që prej sulmeve kundër Shteteve të Bashkuara. Qendra për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare këtu në Washington organizoi dje një bisedë me ministrin grek të rendit, George Vulgarakis, i cili tha se lojrat ishin të sukseshme, falë përpjekjeve të vetë Greqisë si dhe bashkëpunimit të vendeve të rajonit dhe të mbarë komunitetit ndërkombëtar.

Ministri grek i rendit tha se, duke pasur parasysh botën në të cilën jetojmë që prej sulmeve terroriste të 2001, Lojrat Olimpike të Athinës vitin e kaluar ishin shumë të sukseshme, falë përpjekjeve anti-terroriste rajonale dhe ndërkombëtare. Zoti Vulgarakis tha se përvoja e Greqisë në organizimin e Lojrave Olimpike tregoi se terrorizmi global mund të përballet në mënyrë të efektshme vetëm nëpërmjet bashkëpunimit ndërkombëtar. Ai tha se Greqia bashkëpunoi me vendet më me përvojë për sa i përket çështjeve të sigurimit. Ai përshëndeti në mënyrë të veçantë bashkëpunimin dhe mbështetjen e Shteteve të Bashkuara dhe të NATO-s.

“Mbështetja e Shteteve të Bashkuara ishte veçanërisht e rëndësishme. Ne kërkuam gjithashtu mbështetjen e NATO-s. Ne krijuam një ombrellë sigurie jo vetëm për Lojrat Olimpike në Athinë, por për të gjithë vendin. Masat e sigurisë u morën në një mënyrë të tillë që të parandaloj çdo incident sapo i vogël që të ishte, por në të njëjtën kohë këto masa të mos bëheshin pengesë për lojrat.” Zoti Vulgarakis tha se mesazhi i Lojrave Olimpike të Athinës ishte më se i qartë: Demokracia do të fitojë, terrorizmi do të mundet. Bashkëpunimi rajonal, theksoi ministri grek i rendit publik, ishte jetësor.

Ai vlerësoi bashkëpunimin e Shqipërisë në këtë drejtim. “Dua të them se bashkëpunimi i Shqipërisë para dhe pas lojrave olimpike ishte dhe vazhdon të jetë shumë produktiv. Ne kemi një përqindje të lartë imigrantësh që vijnë nga Shqipëria dhe autoritetet shqiptare na ndihmojnë të kontrollojmë kufijtë. Një ndihmë e tillë është shumë e vlefshme edhe për vetë faktin që Ballkani përballet me çështje të ndryshme shqetësuese si krimi i organizuar, terrorizmi, drogat, trafiku i personave e të tjera.” Zoti Vulgarakis tha se si anëtare e Bashkimit Evropian, NATO-s dhe organizatave të tjera të rëndësishme, Greqia mund të luajë një rol të rëndësishëm në Ballkan, Evropën jug-lindore dhe në Mesdhe, në një rajon të paqëndrueshëm, në të cilit, tha ai, të gjithë duhet të kontribuojnë për forcimin e demokracisë.

Ndërsa Greqia zhvilloi me sukses lojrat olimpike të vitit të kaluar, ajo nuk arriti të parandalojë incidentet që pasuan humbjen e kombëtares greke ne Shqiperi. I pyetur nga Zeri i Amerikes për incidentet gjate dy ndeshjeve te kombetareve te te dy vendeve, përgjigja e zotit Vulgarakis tingëlloi më tepër si një justifikim. “Është vështirë që sheri të bëhet nga një njeri. Secila palë ka shqetësimet e veta. Me rëndësi është që të zgjidhen problemet ekzistuese pa krijuar probleme të panevojshme. Më vjen mirë të them se ndoshja tjetër Shqipëri-Greqi, muajin e kaluar, u zhvillua pa incidente.” Ministri grek i rendit publik e vlerësoi Shqipërinë edhe për bashkëpunimin e saj për sa i përket luftës kundër narkotikëve. “Ne bashkëpunojmë në mënyrë produktive me qeverinë e Shqipërisë dhe punojmë së bashku për të luftuar fenomene të tilla si trafiku i narkotikëve. Natyrisht që ky problem nuk ka një zgjidhje të lehtë prandaj edhe bashkëpunimi duhet të vazhdojë.”

Zoti Vulgarakis e vuri disa herë theksin tek bashkëpunimi i komunitetit ndërkombëtar, bashkëpunimi i vendeve të rajonit, e veçanërisht tek bashkëpunimi i vendeve fqinje, duke thënë se suksesi i Greqisë ka ndikime pozitive për vendet fqinje ashtu siç do të kishte ndikime negative çdo problem, me të cilin do të përballej Greqia.

XS
SM
MD
LG