Lidhje

Kryetari i ODIHR viziton Tiranën për të kërkuar zgjedhje të rregullta


Kryetari i Zyrës për Insitucione Demokratike dhe të Drejta Njerëzore, ODIHR, ambasadori Kristian Strohal, vizitoi sot Tiranën ku u takua me autoritetet më të larta shtetërore dhe politike në përpjekje për të ndikuar në përmirësimin e situatës parazgjedhore në Shqipëri dhe për t’i dhënë një shtytje përgatitjes sa më të mirë të zgjedhjeve të verës.

Ambasadori Strohal zhvilloi bisedime sot me Presidentin e Shqipërisë, Alfred Moisiu, kryetarin e Parlamentit, Servet Pëllumbi, me kryeministrin Fatos Nano, ministrin e jashtëm, Kastriot Islami, dhe Komisionin Qendror të Zgjedhjeve.

Sipas njoftimeve të pjesshme të zëdhënsve, ambasadori Strohal ka vlerësuar në këto takime përparimet që janë bërë për t’u afruar standarteve demokratike dhe theksoi se është më i rëndësishëm zbatimi i tyre gjatë procesit zgjedhor.

Kryetari i zyrës ODIHR ka bërë të ditur gjatë takimit me presidentin Moisiu, se pas kësaj vizite në Tiranë, do të hartojë një raport që do ta paraqesë në Këshillin e Përhershëm të kësaj organizate.

Ndërkohë që jozyrtarisht është mësuar se ai do të takohet nesër në mëngjes edhe me drejtues të PD së opozitës.

Vizita e kryetarit të ODIHR, Strohal, u njoftua dje edhe nga kryetari i radhës i OSBE, ministri i jashtëm slloven, Dimitri Rupel. Zoti Rupel tha se me cështet teknike do të merret ODIHR, ndërsa deklaroi se dje se OSBE i ka vlerësuar mjaft zgjedhjet e verës në Shqipëri si një certifikatë e saj në rrugën drejt BE dhe NATO.

Kryetari Rupel bëri të ditur se OSBE është shumë e interesuar të ndihmojë nga afër përgatitjen sa më të mirë të këtyre zgjedhjeve, por nga ana tjetër OSBE do të sjellë për zgjedhjet shqiptare afro 500 vëzhgues, që janë sa rreth dyfishi i zgjedhjeve paralamentare të vitit 2001.

XS
SM
MD
LG