Lidhje

Një tjetër vlerësim negativ për veprimtaritë e agjencive amerikane të zbulimit


Komuniteti amerikan i zbulimit pësoi edhe një goditje tjetër këto ditë, kur një komision tjetër hetimor dha një vlerësim negativ të veprimtarisë së agjencive të zbulimit. Komisioni mbi aftësitë amerikane të zbulimit lidhur me armët e shkatërrimit në masë, gjeti mangësi të theksuara në veprimtarinë e agjencive të zbulimit rreth armëve më të rrezikshme në botë.

Ajo që del nga raporti 601 faqesh i komisionit është pamja e një komuniteti zbulimi që kundërshton ndryshimet, tepër i ngadalshëm për t’iu përshtatur kërcënimeve të reja të pas Luftës së Ftohtë dhe që i mungon aftësia e imagjinatës. Në raport thuhet se një pjesë e madhe e informacionit të mbledhur në Irak nga punonjësit e zbulimit ishte i pavlefshëm ose çorientues. Kjo bëri që analistët e zbulimit të arrinin në përfundime të gabuara mbi armët në Irak, thotë zëvendës-drejtues i komisionit, Laurence Silberman. ”Ata mblodhën një numër të vogël provash dhe arritën në përfundimet e tyre duke u mbështetur në sjelljen e mëparshme të Sadam Huseinit. Do të kishte qenë e justifikueshme sikur agjencitë e zbulimit do të thonin se nuk dinin gjë për shkak se të dhënat mbi Irakun ishin tepër të pakta.”

Komisioni vë në pah sukseset në detektimin e armëve të shkatërrimit në masë sidomos në vende si Libia dhe Pakistani, ndërsa pjesa mbi Iranin dhe Korenë e Veriut mbetet sekrete. David Kay, ish shefi i inspektorëve amerikanë të armëve, thotë në një intervistë telefonike me Zërin e Amerikës se faji mbi informacionet e gabuara për Irakun nuk duhet të bjerë vetëm mbi analistët. Problemi për sa i përket Irakut nuk u shkaktua tërësisht nga analistët. Ata nuk bënë një punë të mirë, por ishin drejtori i CIA-s dhe zëvendësi i tij të cilët dhanë vlerësimet përfundimtare dhe i vunë ato në dispozicion të ligjvënësve.

Seven Aftergood, i cili analizon çështje të zbulimit për Federatën e Shkencëtarëve Amerikanë, thekson se raporti nuk shqyrton se si zyrtarët e administratës i përdorën informacionet e zbulimit për të justifikuar vendimin mbi Irakun. "Kjo pyetje ka mbetur pa përgjigje për shumë njerëz. Ishte administrata ajo që kishte ndjekur me sy mbyllur agjencitë e zbulimit, apo ato ndajnë përgjegjësinë për mënyrën se si u paraqitën dhe u përdorën informacionet? Për këtë pyetje nuk bëhet fjalë në raport.”

Shumë nga rekomandimet e bëra nga ky komision për reformimin e agjencive të zbulimit janë përsëritje e rekomandimeve të bëra nga komisione të tjera, përfshirë atë që hetoi sulmet e 11 shtatorit. Zoti Aftergood thotë se ngjashmëria e rekomandimeve është domethënëse. ”kjo, thekson ai, tregon se agjencitë e zbulimit po kundërshtojnë ndryshimet.” Presidenti Bush, me kërkesën e të cilit u bë raporti, pranoi përfundimet kryesore dhe tha se komuniteti amerikan i zbulimit ka nevojë për ndryshime thelbësore.

Një nga rekomandimet bazë që është miratuar, është krijimi i postit të Drejtorit Kombëtar të Zbulimit, i cili të mbikëqyrë të gjitha veprimtaritë e zbulimit. Ish ambasadori amerikan në OKB, Xhon Negroponte është emëruar në këtë post. Ndërkohë përmasat e autoritetit të tij nuk ende nuk janë të qarta.

XS
SM
MD
LG