Lidhje

Diskutohen parimet mbi bisedimet rreth statusit të Kosovës


Grupi i Kontaktit qartësoi sot në Kosovë parimet kryesore të panegociueshme mbi të cilat pritet të fillojnë bisedimet për statusin përfundimtar. Sipas këtyre parimeve, nuk do të ketë zgjidhje të problemit me përdorimin e forcës nga asnjëra palë dhe statusi përfundimtar i Kosovës do të jetë rezultat i kompromisit midis pozicioneve të palëve dhe do të arrihet përmes dialogut. Michael Schaefer, që foli në emër të Grupit, theksoi se nëse Kosova dëshiron të ketë një vend në familjen evropiane, duhet të përqafojë një proces ripajtimi dhe duhet ta fillojë atë tani.

Kosova dhe institucionet e saj morën sot një kornizë të qartë, mbi të cilën do të bazohen bisedimet e ardhshme për statusin përfundimtar të saj. Nuk do të ketë zgjidhje të problemit me përdorimin e forcës nga asnjëra palë, nuk do të ketë as ndarje të Kosovës dhe as bashkim të saj me ndonjë shtet apo union tjetër, nuk do të ketë kthim në gjendjen në të cilën ishte Kosova para vitit 1999, Prishtina dhe Beogradi do të shkojnë drejt integrimeve euro-atlantike, nuk do të ketë zgjidhje të njëanshme, statusi përfundimtar i Kosovës do të jetë rezultat i kompromisit midis pozicioneve të palëve dhe do të arrihet përmes dialogut.

Për përfaqësuesit e institucioneve vendore kjo ishte një ditë shumë e rëndësishme dhe një takim jashtëzakonisht i rëndësishëm i Grupit të Kontaktit, mesazhet që dolën pas takimeve të Grupit ishin optimiste dhe positive. Nuk pati kritika as të hapura dhe as të nënkuptuara për punën që po bëhet nga institucionet vecanërisht për plotësimin e standarteve, por u theksuan qartë disa pika në të cilat do të bazohet puna në të ardhmen: ndërtimi i besimit midis komuniteve, plotësimi i standarteve me theks të vecantë në respektimin dhe mbrojtjen e të drejtave të pakicave dhe të të gjithë komuniteve në Kosovë, kthimi i të zhvendosurve dhe jeta e sigurt për të gjithë, decentralizimi i pushtetit. Nëse standartet nuk plotësohen, procesi mund të vonohet, ishte përfundimi i takimit të Grupit të Kontaktit.

Michael Schaefer, që foli në emër të Grupit, theksoi në fakt, ajo që duhet bërë dhe ajo që nuk duhet bërë për të shkuar drejt bisedimeve për statusin. Zoti Schaefer po kështu theksoi kushtin kryesor që duhet të plotësojë Kosova për të qenë pjesë e familjes evropiane. “Nëse Kosova dëshiron të ketë një vend në familjen evropiane, duhet të përqafojë një process ripajtimi dhe duhet ta fillojë atë tani. Qëllimi ynë është i qartë, duam të shohim një Kosovë në të cilën të gjithë qytetarët, pavarësisht nga përkatësia etnike, të mund të jetojnë në paqe dhe të sigurtë”, tha Schaefer.

Udhëheqësit vendas në Kosovë paraqitën punën që po bëjnë për plotësimin e standarteve. Presidenti ibrahim Rugova vlerësoi vecanërisht qëndrimin e Grupit të Kontaktit se Kosova do të jetë unike dhe nuk do të ketë asnjë lloj bashkimi me ndonjë shtet apo union tjetër.

Kryeministri Bajram Kosumi, pohoi se takimi i sotëm ishte përqëndruar në tri pika kryesore, plotësimi i standarteve, decentralizimi i pushtetit dhe statusi përfundimtar.

Kryetari i Partisë Demokratike Hashim Thaçi, tha pas takimit me Grupin e Kontaktit, se sot kryeadministratori Petersen ka shprehur një gadishmëri shumë të qartë se do të jetë i pakompromis me mekanizmat e tij përgjegjës të UNMIK-ut, ndaj krimit të organizuar.

Kryetari i partisë Ora, Veton Surroi, vlerësoi bazat kryesore për proceset e ardhshme në Kosovë, të përcaktuara nga Grupi i Kontaktit.

XS
SM
MD
LG