Lidhje

English: zgjedhjet në Shqipëri kanë shumë rëndësi për integrimin euro-atlantik


Një diplomat amerikan thotë se zgjedhjet në Shqipëri kanë shumë rëndësi për integrimin euro-atlantik të vendit. Charles English, drejtor për Evropën Jugore dhe Qendrore në Departamentin e Shtetit tha në një intervistë për Zërin e Amerikës gjatë një vizite në Shqipëri, se Shtetet e Bashkuara presin që udhëheqësit politikë shqiptarë t’i mbajnë premtimet për zgjedhje të drejta dhe të lira. Zoti English, i cili të mërkurën ndodhej në Kosovë në kuadrin e takimeve të Grupit të Kontaktit, tha se shpreson që kryeministri Bajram Kosumi të vazhdojë në gjurmët e zotit Haradinaj për plotësimin e standardeve, që do t’i hapnin rrugën diskutimit të statusit përfundimtar.

Zëri i Amerikës: Zoti English ç’mund të na thoni për vizitën tuaj në Shqipëri, ndërkohë që Shqipëria është duke përgatitur zgjedhjet e përgjithshme. Sipas pikëpamjes suaj, pse këto zgjedhje janë kaq të rëndësishme?

Charles English: Siç e dini mes detyrave të mia janë edhe përgjegjësitë për vendet e rajonit. Unë e mbaj këtë detyrë prej rreth 16 muajsh dhe është hera e parë që vizitoj Tiranën. Fakti që përkon me periudhën parazgjedhore është më shumë rastësi. Jam shumë i kënaqur që ndodhem këtu për vizitë, për të çuar përpara marrëdhëniet tona në përgjithësi. Ky është qëllimi i vizitës sime. Megjithatë do të thosha që zgjedhjet janë shumë të rëndësishme për Shqipërinë. Të gjithë politikanët shqiptarë që takova këtu u angazhuan se do të bëjnë të gjitha përpjekjet që zgjedhjet në Shqipëri të konsiderohen nga komuniteti ndërkombëtar të drejta dhe të lira. Nëse kjo realizohet, do të ishte hera e parë që arrihet një gjë e tillë në Shqipëri. Mesazhi im për udhëheqësit politikë është se ne e mirëpresim premtimin e tyre dhe presim që ata ta mbajnë këtë premtim për të dhënë kontributin e tyre për zgjedhje të lira dhe të ndershme. Njëkohësisht ne po përpiqemi të japim ndihmën dhe mbështetjen tonë për institucionet shqiptare, në mënyrë që zgjedhjet të jenë të lira dhe të drejta. Ne po bashkëpunojmë me komunitetin ndërkombëtar, nën drejtimin e OSBE-së, po bashkëpunojmë gjithashtu në mënyrë të dyanshme me institucionet shqiptare, në mënyrë që ato të kenë mjetet e duhura për të realizuar këtë premtim. Shqipëria do të ketë përfitime të mëdha, nëse zgjedhjet janë të lira dhe të drejta, pasi do të përshpejtohet integrimi i saj euro-atlantik. Por nga ana tjetër më duhet të them që do të ketë pasoja përsa u përket aspiratave kombëtare të Shqipërisë, nëse zgjedhjet zhvillohen me probleme serioze.

Zëri i Amerikës: Çfarë mund të ndodhë nëse me këto zgjedhje bëhen hapa prapa? Shumë njerëz janë të shqetësuar për të ardhmen e demokracisë shqiptare. Si do ta ndihmojnë Shtetet e Bashkuara dhe vendet perëndimore Shqipërinë që të plotësojë standardet e zgjedhjeve dhe për integrim euroatlantik?

Charles English: Ne po e ndihmojmë Shqipërinë, përmes pranisë së OSBE-së, që të kapërcejë ato lloj problemesh që ka patur në të kaluarën me zgjedhjet. Por sigurisht që në fund të fundit do të jenë shqiptarët, institucionet shqiptare, udhëheqësit politikë dhe votuesit, ata që do të jenë përgjegjës që zgjedhjet të jenë të lira dhe të drejta. Ne shpresojmë dhe presim që institucionet, politikanët dhe votuesit të jenë të suksesshëm në realizimin e zgjedhjeve të lira dhe të drejta. Ne duam një përshpejtim të integrimit dhe jo ngadalësim të tij.

Zëri i Amerikës: Cili është komenti juaj për situatën në Kosovë? Zoti Haradinaj dha dorëheqjen në një situatë të qetë, ndërsa zoti Kosumi zuri vendin e tij. A shihni rreziqe përsa i përket Kosovës?

Charles English: Më lejoni të them, se ne mendojmë që Ramush Haradinaj veproi me kurajo dhe në interesin e popullit të Kosovës, kur dha dorëheqjen dhe pranoi përgjegjësinë që të shkonte dhe t’u përgjigjej akuzave në Hagë. Me veprimin e tij, ai tregoi përkushtimin ndaj mirëqenies së popullit të tij. Ai u përqendrua tek nevojat e njerëzve dhe jo të vetat, me veprimet e tij kurajoze. Kështu, ne i vlerësojmë veprimet e tij. Gjatë kohës që ishte kryeministër ai solli energji, përkushtim dhe angazhim në zbatimin e standardeve ndërkombëtare të nevojshme që Kosova të kalojë në fazën e mëtejshme, në procesin e statusit. Ai punoi gjithashtu me ngulm për të çuar përpara decentralizimin, që do të ndihmonte në krijimin e kushteve që popullsia që përbën shumicën dhe pakicat të punojnë krah për krah në një Kosovë shumëetnike. Gjatë kohës që ishte kryeministër, zoti Haradinaj gëzonte një mbështetje të fortë nga ana jonë dhe ne duam të vazhdojmë të mbështesin pasuesin e tij zotin Kosumi. Ne duam që zoti Kosumi të jetë i suksesshëm dhe presim që të sjellë të njëjtën energji dhe përkushtim, që tregoi zoti Haradinaj gjatë kohës së shkurtër në krye të qeverisë.

Zëri i Amerikës: Që nga viti 1999 e deri sot, Kosova është afro 6 vjet pa regjimin e Millosheviçit dhe nën administrimin e UNMIK-ut. Ç’mund të na thoni për të ardhmen e afërt dhe negociatat për statusin ardhshëm të saj?

Charles English: Gjatë këtyre 6 vjetëve, ose të paktën që kur zgjedhjet e para sollën si rezultat ngritjen e institucioneve kalimtare të vetëqeverisjes, populli i Kosovës ka ngritur institucione dhe strukturat e vetëqeverisjes. Para disa vjetësh, komuniteti ndërkombëtar parashtroi tetë standarde, që nëse zbatohen do t’i lejonin Kosovës që të kalonte në procesin e statusit, i cili parashikohet në rezolutën 1244. Këto standarde kanë të bëjnë me qeverisje demokratike, shtetin ligjor, respektimin e të drejtave të pakicave. A kanë qenë Institucionet e Përkohëshme të Vetëqeverisjes të suksesshme apo jo në plotësimin e këtyre standardeve, kjo është diçka që do ta diskutojë dhe përcaktojë komuniteti ndërkombëtar në mes të vitit 2005, pra vetëm pak muaj më vonë. Ne shpresojmë që këto institucione të përkohëshme të vazhdojnë të bëjnë përparimet e nevojshme për tu arritur në përfundimin se kanë ecur aq përpara me standardet, sa që t’i hapet rruga procesit të statusit. Por kjo çështje do të shqyrtohet shumë seriozisht, në mes të këtij viti dhe ka ende shumë punë për të bërë nga insitucionet e përkohëshme. Shpresoj dhe pres që kryeministri Kosumi të vazhdojë të punojë me të njëjtën energji, si edhe paraardhësi i tij, në mënyrë që të plotësohen standardet dhe t’i hapet rrugën procesit të statusit të Kosovës, që parashikohet në rezolutën 1244.

XS
SM
MD
LG