Lidhje

Qëllimet e trafikimit të fëmijëve në Kosovë


Zyrtarët thonë se trafikimi i fëmijëve në Kosovë bëhet për dy qëllime kryesore, shfrytëzim seksual dhe punë e detyruar. Shefi i zyrës së UNICEF-it në Prishtinë, Robert Fuderich, thekson se trafikimit të fëmijëve është një çështje që ka të bëjë jo thjesht me punën e policisë, por edhe me sistemin e drejtësisë, me sistemin arsimor dhe me vetë familjen si institucion. Korrespondentja jonë Linda Karadaku Ndou përgatiti këtë kronikë të filmuar.

Zyra e Fondit të Kombeve të Bashkuara për Fëmijët në Prishtinë, UNICEF, ka përgatitur një studim, për trafikimin e fëmijëve në Kosovë, i cili tregon se më shumë se 100 fëmijë janë trafikuar në Kosovë që nga viti 1999.

Robert Fuderich, shefi i zyrës së Fondit të Kombeve të Bashkuara për Fëmijët, UNICEF-it në Prishtinë, thotë se kjo zyrë nuk merret me studimin e rasteve në mënyrë individuale, por çdo rast kur preken të drejtat e një fëmije, është një rast serioz. Trafikimi i fëmijëve në Kosovë bëhet brenda dhe jashtë saj. “Ne po e shqyrtojmë trafikimin në tre aspekte, trafikim brenda Kosovës - pra fëmijë të Kosovës të trafikuar brenda kufijve të saj, trafikim jashtë Kosovës, fëmijë që zakonisht sillen aty zakonisht për qëllime seksuale, dhe trafikim përmes Kosovës nga një vend tjetër, ndoshta qëndrim atje për një kohë, dhe pastaj largohen nga Kosova me destinacion Evropën Perëndimore”.

Zoti Fuderich shpjegon llojet e trafikimit të fëmijëve në Kosovë. “Bëhet fjalë kryesisht për dy lloje, trafikim i fëmijëve për shfrytëzim seksual dhe për shfrytëzim të punës së fëmijëve. Kjo prek dy grup-mosha, trafikimi i fëmijëve për shfrytëzim seksual prek zakonisht vajzat midis 15 dhe 18 vjec, shfrytëzimi i fëmijëve për punë fillon zakonisht në moshën 13 vjec dhe i prek njësoj djemtë dhe vajzat”.

Shefi i zyrës së UNICEF-it në Prishtinë, Robert Fuderich, thekson se trafikimi i fëmijëve ka të bëjë jo vetëm me policinë, por edhe me sistemin e drejtësisë, sistemin arsimor dhe vetë familjen si institucion. “Është një çështje shumë e vështirë për t’u trajtuar, nuk është vetëm legjislacioni, është edhe mjedisi: shumë nga fëmijët e trafikuar vijnë nga familje jo-funksionale, ka shumë raste kur lënë shkollën, hiqen nga institucionet, ndodh gjithashtu që nuk pranohen në familje, është një cështje shumë, shumë e vështirë, megjithatë ofron mundësi për gjithkënd që të bëjë diçka për këtë çështje. Ka shumë çështje që kanë të bëjnë me policinë, por nuk është vetëm kjo, ai ka të bëjë me sistemin e drejtësisë, sistemin arsimor dhe të familjes, pra është një cështje shumë komplekse”, thotë zyrtari i UNICEF-it në Kosovë, Robert Fuderich.

XS
SM
MD
LG