Lidhje

Kosovë: UNMIK-u heton akuzat dhe kundërakuzat e opozitës dhe pozitës për përfshirje në veprime të paligjshme


Shefi i Misionit të Kombeve të Bashkuara. Soren Jessen-Petersen tha sot në Prishtinë se policia është duke hetuar akuzat që Partia Demokratike e Kosovës i ka drejtuar kundër disa anëtarëve të Qeverisë aktuale të Kosovës për përfshirje në krimin e organizuar, krime ordinere dhe në korrupsion.

Ai i bëri këto komente pas një takimi me kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës Hashim Thacin dhe me këtë rast theksoi se UNMIK-u po i shqyrton seriozisht këto pohime sikundër edhe dokumentet me këto akuza që i janë ofruar nga Partia Demokratike e Kosovës.

“UNMIK-u po i ndjek me shqetësim të madh edhe disa kërcënime që janë bërë ditëve të fundit në Kosovë dhe ka kontaktuar me individët për të parë se çfarë mund të bëhet”, tha zoti Jessen-Petersen, duke ju referuar një shkrimi të publikuar në internet nga një organizatë që veten e quan “Sigurimi i Atdheut”, e cila i ka kërcënuar me vdekje Jakup Krasniqin, sekretar i Partisë Demokratike, Veton Surroin, kryetar i partisë Ora, Bujar Bukoshin, kryetar i Partisë së Re të Kosovës dhe Faik Graincën, kryetar i komunës së Ferizajt, siç thuhet, për shkak të akuzave ndaj zëvendëskryeministrit të Kosovës Adem Salihajt, i cili është emri më i përfolur në dokumentin e Partisë Demokratike.

Zoti Salihaj i ka kundërshtuar ashpër akuzat kundër tij. “Është një fushatë shpifjesh që qëllim të vetëm ka që ta pengojë punën e qeverisë, t’i pengojë proceset që po zhvillohen me një sukses të madh dhe të mos mund të arrijmë aty ku synojmë të arrijmë”. Zoti Salihaj ka hedhur poshtë çdo lidhje me “Sigurimin e Atdheut” këtë organizatë që është e panjohur deri tash edhe për organet e sigurimit.

“Mendoj se edhe kjo është një pjesë e fushatës kundër meje faktikisht dhe nëse kjo organizatë vërtetë ekziston, që unë nuk e di dhe nuk kam asnjë lidhje me të, por nëse ajo vërtetë ekziston, atëherë më së paku më ka ndihmuar mua dhe shërbimin më të keq ma ka bërë mua sepse unë nuk kam pasur asnjë nevojë që më mbrojë dikush prej dikujt”, tha zoti Salihaj.

Kryetari i Partisë Demokratike, Hashim Thaci tha ndërkaq se veprimet e partisë së tij janë në shërbim të forcimit të institucioneve të cilat siç u shpreh ai, duhet të udhëhiqen prej njerëzve me duar të pastra, ndërsa ata që janë të përfshirë në keqpërdorime duhet të përballen me drejtësinë. “Duam të kemi qeverisje stabile, duam të kemi qeverisje efektive, duam të kemi qeverisje që implementon standardet dhe që punon për zgjidhjen e drejtë të statusit politik. Ne nuk pretendojmë që të zhvillojmë beteja politike për këtë çështje. Kjo është çështje e drejtësisë dhe duhet ta kuptojnë të gjithë”, tha zoti Thaci.

Akuzat dhe kundër akuzat kanë ashpërsuar ditëve të fundit gjuhën politike në Prishtinë, ndonëse në të njëjtën kohë përfaqësuesit politikë deklarohen për nevojën e një konsensusi politik me afrimin e kohës së zgjidhjes së statusit përfundimtar të Kosovës.

Shefi i UNMIK-ut Soren Jessen Petersen tha se pas vizitës së Grupit të Kontaktit dhe parimeve qartë të përcaktuara për bisedimet për statusin, “është më me rëndësi se kurrë që të gjitha partitë politike të përfshihen në përmbushjen e standardeve, decentralizimin dhe përgatitjet për statusin. Dhe për këtë një lloj i platformës kombëtare i të gjithë atyre që janë të përfshirë, është thelbësore”, tha zoti Jessen-Petersen duke u zotuar se ai do të luaj rolin e tij për ta shtyrë përpara këtë proces.

XS
SM
MD
LG