Lidhje

Prishtinë: Shtetet e Bashkuara dënojnë vrasjen e Enver Haradinajt


Enver Haradinaj, 25 vjeç, një nga vëllezërit e ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, u vra të premten pasdite në rrugën midis Pejës dhe Deçanit, nga persona të paidentifikuar që e qëlluan atë dhe një person tjetër që udhëtonte me të.

Zoti Haradinaj dhe bashkëudhëtari i tij, i cili gjendet i plagosur në spital, u qëlluan në një rrugë midis fshatrave Raushiç dhe Lubeniç. Zoti Haradinaj u plagos rëndë dhe vdiq rrugës për në spitalin e Pejës, ndërkohë që bashkëudhëtari i tij i plagosur është marrë në pyetje nga policia në lidhje me incidentin.

Komisioneri ndërkombëtar i policisë në Kosovë, Kai Vitrup, pohoi sot se ata ishin qëlluar rreth orës 14:44 pranë fshatit Raushiç dhe se zoti Haradinaj kishte vdekur rreth orës 15:00.

Enver Haradinaj ka qenë anëtar i UCK-së dhe invalid i luftës. Dy vëllezër të tjerë të ish-kryeministrit Haradinaj, Luan dhe Shkëlzen Haradinaj, janë vrarë në luftime me forcat serbe gjatë luftës ndërsa një tjetër vëlla i tij, i cili ka qenë po ashtu anëtar i UÇK-së, gjendet në burg në Kosovë. Vetë ish-kryeministri Ramush Haradinaj ndodhet në
gjykatën e Hagës.

Shtetet e Bashkuara e dënuan vrasjen duke e quajtur krim të tmerrshëm. Shefi i zyrës amerikane në Prishtinë, Philip Goldberg, tha se kjo është një ngjarje shumë e trishtueshme dhe i shprehu ngushëllimet familjes Haradinaj “e cila ka vuajtur tashmë së tepërmi”. “ Shpresoj se autorët e këtij krimi do të kapen shpejt, dhe nxis çdonjërin që ka informacione të kontaktojë autoritetet menjëherë”, tha ai.

Zëvëndëskryeadministratori ndërkombëtar i Kosovës Lari Rosin, tha se administrata ndërkombëtare ishte thellësisht e tronditur nga vrasja e Enver Haradinajt. Ai e siguroi familjen Haradinaj dhe popullin e Kosovës se policia e UNMiK-ut po përdor të gjitha burimet hetuese për të identifikuar autorët.

Zoti Rosin i bëri thirrje popullit të Kosovës që të tregojë përballë krimit maturinë dhe respektin për ligjin dhe rregullin që kanë karakterizuar Kosovën gjatë sfidave të muajit të fundit.

Ai gjithashtu bëri thirrje që çdo informacion në lidhje me këtë vrasje, t’i jepet policisë. Komandanti i paqeruajtësve të NATO-s në Kosovë, Iv de Kermabo, e quajti vrasjen, shenjë të papranueshme të dhunës, e dënoi rëndë atë dhe tha se paqeruajtësit do të mbështesin policinë.

Shefi i zyrës britanike në Prishtinë, Mark Dickinson, tha se ishte thellësisht i tronditur nga vrasja.

“Cilatdo që të jenë motivet e këtij krimi të frikshëm, ata që janë përgjegjës, duhet ta kenë ditur që ajo mund të krijonte tension në shoqëri, duke ditur gjithashtu pasojat në familjen Haradinaj”, tha zoti Dikinson duke i bërë thirrje popullit të Kosovës që të ruajë qetësinë.

Presidenti Ibrahim Rugova tha në reagimin e tij se ata që e bënë këtë akt mizor kanë për qëllim destabilizimin e Kosovës dhe janë kundër lirisë, pavarësisë dhe demokracisë në Kosovë. Zoti Rugova kërkoi që qytetarët e Pejës dhe Deçanit, të ruajnë qetësinë, dhe që autorët e këtij akti të dalin para drejtësisë. Zoti Rugova e ka shpallur ditë zie ditën e varrimit të Enver Haradinajt.

Qeveria e Kosovës, tha se kryeministri Kosumi dhe qeveria e Kosovës kanë kërkuar nga UNMIKU dhe Policia e UNMIK-ut, që të ndërmerren masa energjike për kapjen e autorëve të kësaj vepre kriminale dhe nxjerrjen e tyre para organeve të drejtësisë. Kryeministri Bajram Kosumi shkoi në Gllogjan të Deçanit, për t’ju ndodhur pranë familjes Haradinaj.

Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës tha se atentati është thellësisht i motivuar politikisht dhe kërkoi që të kapen autorët e krimit nga organet e drejtësisë.

Partia Demokratike e Kosovës tha se ka ardhur koha që organet e policisë, hetuesisë dhe të gjyqësisë të jenë në nivelin e duhur të detyrës dhe t’i ushtrojnë përgjegjësitë e tyre të plota për t’u përballur me krimin dhe për të zbardhur të gjitha aktet e dhunës në Kosovë.

Partia Ora e Veton Surroit e dënoi ashpër atentatin ndaj Enver Haradinajt dhe tha se është shumë e shqetësuar për këtë akt kriminal. Kriminelët të cilët qëndrojnë prapa kësaj vepre makabre, duhet sa më shpejt të zbulohen nga organet kompetente në Kosovë dhe të ballafaqohen me drejtësinë, tha kjo parti.

Shtabi i Përgjithshëm i TMK-së tha se ky akt kriminal ka goditur rëndë lirinë e Kosovës dhe kërkoi nga organet qe e kanë për detyrë mbrojtjen e jetës se qytetarëve të Kosovës, që të jenë më këmbëngulëse dhe më efikase në luftimin e krimit dhe zbulimin e kriminelëve.

XS
SM
MD
LG