Lidhje

Të rejat e javës nga ekonomia


Shenjat për një ngadalësim të ekonomisë në shkallë botërore, mbledhja e zyrtarëve të lartë në Uashington për të diskutuar mbi zbutjen e varfërisë dhe përballimin e kostos së lartë të naftës janë disa nga lajmet ekonomike të kësaj jave. Nga rajoni i Ballkanit, ndër të tjera, mund të përmendim mbledhjen e ekspertëve për projektin e naftësjellësit Vlorë-Burgas; Banka Botërore jep 2 milionë e 500 mijë dollarë për sektorin energjitik të Kosovës.

Fondi Monetar Ndërkombëtar bën të ditur se ritmi i ekonomisë globale do të bjerë sivjet me 4,3 për qind, por se do të përshpejtohet më 2006. Ekonomia botërore pati rritje të shpejtë prej 5,1 për qind vitin e kaluar, ku luajtën rol ekonomia amerikane dhe kineze. Ekonomistët paralajmëruan se çmimet të larta të naftës do të frenonin rritjen. Por ata theksuan se këto çmime po i ndihmojnë prodhuesit e naftës në Afrikë t’i japin shtytje rritjes ekonomike të kontinentit. Ekspertët e Fondit Monetar e thanë fjalën e tyre, ndërsa zyrtarë të lartë të ekonomisë po mblidhen nga mbarë bota në Washington për të diskutuar mbi pakësimin e borxheve për vendet e varfëra dhe rritjen e çmimeve të naftës.

Çmimet e naftës ranë këtë javë, megjithatë vazhduan të jenë në qendër të diskutimeve ekonomike. Sipas një raporti qeveritar, çmimet e benzinës në pikat e furnizimit në Shtetet e Bashkuara u rritën në muajin mars më pak se parashikohej, megjithatë këto çmime bënë që konsumatorët të kenë më pak para për të blerë prodhime e shërbime të tjera.

Deficiti tregëtar amerikan arriti në shkurt shifrën-rekord 61 miliardë dollarë. Departamenti i Tregëtisë thotë se defeciti u rrit edhe më tepër për shkak të çmimeve të naftës dhe shtimit të prodhimeve tekstile kineze në tregun amerikan.

Projekti për ndërtimin e naftësjellësit Burgas-Vlorë, i cili konsiderohet i një leverdie të madhe ekonomike për Shqipërinë, do të mbledhë pas katër ditësh në Tiranë ekspertë vendas, nga Bullgaria dhe Maqedonia, thanë mjetet shqiptare të informimit. Në mbledhje do të jenë të pranishëm përfaqësues kompanish ndërkombëtare me ekspertizë në fushën e fizibilitetit dhe të ndërtimit të naftësjellësave. Projekti që parashikohet të jetë 912 kilometra dhe do të bëjë të mundur rrjedhjen e naftës nga brigjet e Kaspikut për në Vlorë, ka ngjallur konkurrencë nga vende si Greqia, dhe kundërshtime nga ana e veprimtarëve të mjedisit.

Banka Botërore do të japë një fond prej 2 milion e 500 mijë dollarësh si ndihmë për sektorin energjitik në Kosovë. Ky fond do të jepet në kuadër të projektit ESTAB-3, ku përmblidhen ndihma teknike për energjitikën dhe minierat, si dhe përsosjen e lejgislacionit në këto fusha. Që nga shpallja e Kosovës territor nën administrimin e Kombeve të Bashkuara, Banka Botërore është ndër financuesit kryesorë për sektorin e atjeshëm të energjitikës. *

Parlamenti Evropian votoi thuajse njëzëri për pranimin e Bullgarisë dhe Rumanisë në Bashkimin Evropian. Më 25 prill pritet që këto dy vende të nënshkruajnë me Brukselin marrëveshjen e pranimit. Nëse Bulgaria dhe Rumania përmbushin standarded e vëna, anëtarësimi i tyre do të bëhet në janar të 2007-ës. Pranimi i dy vendve ballkanike, pritet të ketë ndikim mjaft pozitiv në ekonominë e këtyre vendeve, si dhe në atë të rajonit.

XS
SM
MD
LG