Lidhje

140 pas vdekjes: Cili ishte Abraham Lincolni


Të premten u bënë 140 vjetor që nga vdekja e Abraham Linkolnit, një prej prej presidentëve më të famshëm amerikanë, i cili u qëllua nga një atentator në një teatër të Uashingtonit. Në kujtim të tij, këtë muaj pritet të hapet në qytetin Springfield të shtetit Illinois, një muzeum i ri. Sipas një ankete të re, presidenti Linkoln është i treti për nga popullariteti, pas Ronald Reaganit dhe Bill Klintonit. Një vizitë në muze mund të japë disa shpjegime se përse edhe 140 vjet pas vdekjes, Linkolni vazhdon të gëzojë të njëjtin popullaritet.

Presidenti i 16 amerikan Abraham Lincoln është një gjigand i historisë amerikane. Por trashëgimia e tij është më e madhe se roli i tij historik, shpjegon historiani Tom Schwartz:

“Idealet që u përpoq të shprehte Linkolni dhe ato që po përpiqej të realizonte në atë kohë ende janë të vlefshme sot. Por të mos harrojmë karakterin e Linkolnit, që e vë këtë ish president amerikan në rangun e një figure të historisë botërore dhe jo thjesht kombëtare”.

Kriza e madhe e historisë amerikane ishte edhe krizë e presidencës së Linkolnit - kryengritja që u shndërrua në Luftën Civile Amerikane. Në thelb të konfliktit ishte integriteti i bashkimit kushtetues të Amerikës si dhe liria e amerikanëve të skllavëruar. Por Linkolni e pa këtë luftë edhe si përpjekje për mbijetesën e demokracisë.

“Linkolni e konsideronte këtë si një moment kritik kur ky eksperiment amerikan me një qeveri demokratike ishte në rrezik dhe mund të mos mbijetonte. Prandaj Linkolni nuk po përpiqej vetëm për mbijetesën e kombit por edhe për idealin më të madh se çfarë simbolizonte Amerika për botën”, thotë historiani Schwartz.

Zoti Schwartz është studiues në Bibliotekën presidenciale të Linkolnit në Springfield, një objekt që do të zgjerohet me shtimin e një muzeumi presidencial me vlerë prej disa miliona dollarësh:

“Ky muzeum do të shërbejë për t’u ofruar njerëzve një panoramë të historisë së Linkolnit, dhe më pas i drejtojmë të vazhdojnë kërkimet vetë në mjediset ku ka jetuar Linkolni”.

Për këtë synim historiani i Bibliotekës Bryon Andreson ka krijuar një numër tabelash në mbarë qytetin për të drejtues ata që kërkojnë gjurmë të Linkolnit:

“Koncepti i kërkimeve për Linkolnin është t’i jepet një mundësi vizitorëve të përpiqen të imagjinojnë mjediset ku jetoi dhe punoi Linkolni. Fatmirësisht në vitet 1858 - 1859 kishte një fotograf i cili bënte fotografi nga çdo cep i ndërtesës së Kapitolit këtu në Springfield. Këto fotografi i kemi shumëfishuar dhe mund t’i shohës tani në vendet përkatëse në çdo cep të ndërtesës. Kjo fotografi tregon se si dukej rruga Washington në anën veriore të ndërtesës së Kapitolit afro 2 vjet para se Linkolni të zgjidhej president”, thotë historiani Andreson.

Ndër objektet e përfshira në këtë turne, përfshihet edhe shtëpia ku ka jetuar Linkolni dhe ndërtesa e vjetër administrative.

“Kjo u bë epiqendra e politikës dhe kulturës. Këtu zhvilloheshin ballo dhe leksione. Pasi Linkolni u vra dhe trupi i tij u soll në Springfield për t’u varrosur, dhe u vendos në këtë sallë të Kapitolit nga ku ai kishte mbajtur një numër të fjalimesh të rëndësishme”, thotë zoti Andreson.

Fjalimet dhe shkrimet e Linkolnit, shumë prej të cilave gjenden në Bibliotekën e Springfildit, ishin aq të fuqishme, thonë historianët, saqë kanë lënë gjurmët e tyre edhe në kulturën botërore:

“Leon Tolstoi, romancieri i famshëm rus e konsideronte Linkolnin si një Krisht në miniaturë. Mahatma Gandi thoshte se Linkolni ishte një burrë i madhërishëm shteti, ndërsa Margaret Thatcher është shprehur se ishte një simpatizante e madhe e ish-presidentit amerikan”, thotë zoti Schwartz.

“Vetë fakti që nëse shkon në Kore të Jugut, Japoni apo Taivan do të hasësh në konkurse ku nxënësve të shkollave u kërkohet të recitojnë Fjalimin e Getisburgut në anglisht, mendoj se thekson fuqinë e fjalëve elokuencës së Linkolnit”, shton ai.


Kur ish-presidenti vdiq nga një atentat në vitin 1865, një mik i tij shprehu tronditjen që ndjeu mbarë vendi për këtë humbje duke thënë “Tani ai i takon përjetësisë.” Pa dyshim për kohën tonë kjo shprehje është ende e vërtetë.

XS
SM
MD
LG