Lidhje

Vatikan: Teknologjia moderne një sfidë për procedurën sekrete të zgjedhjes së Papës së ri


Vatikani thotë se është i sigurt se një sistem sigurimi i teknologjisë së lartë përreth Kapeles Sistine, ku kardinalët e Kishës Katolite do të takohen të hënën për të zgjedhur Papën e ri, do ta mbajë sekret procedurën dhe do t’i izolojë vetë kardinalët nga komunikimi me pjesën tjetër të botës. Korrespondenti i Zërit të Amerikës në Vatikan, Roger Wilkison njofton se ekspertët teknikë kanë kontrolluar Kapelen Sistine dhe banesën ku kardinalët do të qëndrojnë për të dëgjuar këshillat, dhe se janë marrë masa për të neutralizuar thirrjet telefonike në këto zona.

Zëdhënësi i Vatikanit Joaquin Navarro Valls u tha gazetarëve se ekspertët e sigurimit kanë marrë të gjitha masat e nevojshme për të mos lejuar të bëhen përgjime të votimit në Kapelen Sistine. Kjo përpjekje bëhet ndërkohë që policia e Vatikanit përpiqet të jetë një hap përpara teknologjive të sofistikuara të përgjimit që nuk ekzistonin kur Papa Gjon Pali i ndjerë u zgjodh në vitin 1978.

Andrea Mergelleti, ekspert sigurimi në Qendrën për Studime Ndërkombëtare në Romë tha se Vatikani shqetësohet sidomos për monitorimin e bisedave me telefonë celularë dhe satelitë jashtë zonës.

“Sigurisht... shumë agjenci të zbulimit në botë po përpiqen të penetrojnë në vendin e shenjtë. Ata do ta bëjnë këtë me avionë specialë, për shembull, avionët spiunë apo me rreze lazer”, thotë zoti Mergelleti.

Zoti Mergelleti thotë se rrezet lazer mund të drejtohen në dritaret e Kapeles Sistine ku kardinalët do të hedhin votat e tyre për papën e ri ose në dritaret e Shtëpisë së Shën Martës, banesa e Vatikanit kur po qëndrojnë të ashtuquajturit princë të kishës. Ai thotë se nëpërmjet rezeve lazer mund të përgjohen bisedat përmes vibracionit të xhamave të dritares.

Megjithëse zyrtarët e Vatikanit nuk do të diskutojnë hollësitë e operacionit të tyre të sigurimit, dihet prej kohësh se Vatikani ka pajisje që mund të ndalojnë përgjimit përmes mikrofonëve të drejtuar. I përgjuar vetë gjatë viteve si peshkopi i Korakowit nga regjimi komunist në Poloni, Papa Gjon Pali dha instruksione kundër-zbulimit për procesin e zgjedhjes së papës, duke ndaluar telefonat celularë, kasetofonët, dhe pajisje të tjera regjistrimi për të mbrojtur kardinalët nga kërcënimet për gjykimin e tyre të pavarur.

Eksperti i sigurimit Mergelleti thotë se përvoja personale e të djerit papë sensibilizoi Vatikanin për rrezikun e spiunazhit.

“Mendoj se tani ky vend i shenjtë është më i pambrojtur se kurrë më parë”.

Teknikët e sigurimit do të vazhdojnë të kontrollojnë zonën sensitive deri para fillimit të procesit.

Makinat kundër mjeteve të përgjimit lëvizin kur hasin në pajisje të tilla. Por ka ende disa pikëpyetje në se Vatikani do të jetë në gjendje të ndalojë përgjimit përmes rrezeve lazer. Këto pajisje komplekse të përgjimit punojnë nga një distancë e madhe. Ekspertët thonë se pajistje të tilla nuk lenë gjurmë në mjetet kundër përgjimit.

XS
SM
MD
LG