Lidhje

Lotaria për 'Grin Kart' - kujdes nga kompanitë mashtruese!


Miliona njerëz në të gjithë botën aspirojnë të vijnë në Shtetet e Bashkuara për një jetë më të mirë. Shumë prej tyre nuk lënë gjë pa provuar për arritjen e këtij qëllimi dhe shqiptarët nuk bëjnë përjashtim. Një nga mënyrat më të lehta është padyshim llotaria amerikane e vizave. Të paktën faza e parë e procedurës nuk kushton asgjë.

Megjithatë disa individë dhe kompani e shfrytëzojnë këtë dëshirë të njerëzve për të nxjerrë fitime. Ka prej tyre që marrin para, madje edhe pa e plotësuar fare kërkesën.

Gregory Ashe - jurist në Zyrën e Mbrojtjes së Konsumatorëve pranë Komisionit Federal të Tregëtisë në Washington - thotë se ka kompani që, pasi aplikanti kalon me sukses fazën e parë, i kërkojnë disa mijëra dollarë me kusht që t’i dërgojnë dokumentat që duhen plotësuar më tej.

A thua këta individë dhe kompani dinë ndonjë mënyrë magjike që të tjerët nuk e dinë? Në asnjë mënyrë, thonë zyrtarët amerikanë, të cilët i këshillojnë vazhdimisht aplikantët të mos humbasin paratë, por ta bëjnë kërkesën për llotarinë falas permes faqes së internetit të Departamentit të Shtetit.

Gregory Ashe thotë se aplikantët duhet të tregohen vigjilentë ndaj kompanive që ofrojnë shërbime të tilla. ”Ata e paraqesin veten sikur punojnë bashkë me qeverinë amerikane. Mbajnë emra të tillë si ’Shërbimet Amerikane të Imigracionit’. Vetë faqja e tyre e internetit përmban figura që u ngjasin faqeve qeveritare, si vula, flamuj, stema e gjëra të tjera që të japin përshtypjen e organizmave qeveritare. Tek informacionet e kontaktit, si, për shembull, tek numrat e telefonit ato vënë numrat e telefonit të Departamentit të Shtetit në mënyrë që dikush që dyshon të bindet se kompania X ka të bëjë me qeverinë. Të gjitha këto, thotë zoti Ashe, nuk janë veçse karremi për të tërhequr klinetët dhe për krijuar besim tek ata”.

Në faqen e internetit të Komisionit Federal amerikan të Tregëtisë, thuhet shprehimisht: Mos paguani! Formularët e qeverisë dhe udhëzimet për plotësimin e tyre merren nga agjencia përkatëse e qeverisë dhe janë falas.

Zoti Ashe tërheq vëmendjen se aplikimi përmes kompanive, veç të tjerash, mund ta vonojë procesin dhe mund të dëmtojë shanset e aplikantëve, pasi Departamenti i Shtetit zgjedh shumë aplikues për një numër më të vogël vizash. Ai thotë se mënyra më e mirë për t’u mbrojtur nga këto skema mashtruese është të kuptosh se si funksionon llotaria amerikane.

Për këtë, përveç faqes së Departamentit të Shtetit, mund të shfrytëzohet edhe ajo e ambasadës amerikane në Tiranë, e cila sjell informacion edhe në gjuhën shqipe.

Juristi thotë se Zyra për Mbrojtjen e Konsumatorëve ka marrë edhe masa ndaj kompanive mashtruese. ”Në vitin 2003 Komisioni Federal i Tregëtisë hodhi në gjyq një kompani që quhej Global Web Solutions e cila në internet njihej me emrin Internet US Immigration Services. Ishte e një çifti bashkëshortësh dhe i paditëm në një gjykatë federale.”

Fajtorët u dënuan me afate burgimi dhe gjoba disa milionë-dollarëshe.

Përveç Komisionit Federal të Tregëtisë, në Shtetet e Bashkuara ka edhe organizma të tjerë qeveritarë që ndjekin krime të tilla, qoftë në nivel federal apo vendor. Juristi thotë se Departamenti i Shtetit, duke kaluar në aplikime përmes internetit, është përpjekur ta bëjë më të thjeshtë procesin dhe të pakësojë shanset për mashtrime.

Ai i sugjeron qeverisë shqiptare të bëjë të pamundurën për të luftuar krime të tilla dhe për të mbrojtur konsumatorët.

I vetmi sugjerim për ata që aplikojnë, do të ishte: mos u besoni lehtë kompanive që ofrojnë shërbime të tilla! Në vend që të paguani për këto shërbime, përpiquni t’i bëni vetë, pasi procedura është e thjeshtë. Nuk është as nevoja të kesh kompjuter sepse fare mirë mund të shkohet në një internet-kafe dhe kërkesa të plotësohet me ndihmën e një të njohuri a të afërmi që ka vetëm njohuri bazë. //az//

XS
SM
MD
LG