Lidhje

Forcat irakiane dhe amerikane nuk gjejnë pengje në qytetin Madaen


Gazetarë perëndimorë njoftojnë se forcat irakiane dhe amerikane nuk gjetën pengje në qytetin Madaen, ku autoritetet thanë se kryengritësit mbanin peng afro 100 veta.

Forcat e koalicionit e rrethuan të djelën qytetin pasi televizioni irakian njoftoi se rrëmbyesit suni kishin kërcënuar të vrisnin pengjet brenda 24 orësh, nëse të gjithë shiitët nuk largoheshin nga qyteti.

Zyrtarë të ministrisë së mbrojtjes dhe asaj të brendshme konfirmuan të djelën njoftimet për rrëmbimet dhe thanë se operacionet ushtarake në qytet kishin ndeshur në qëndresë të fortë. Por një korrespondent për agjencinë franceze të lajmeve i cili po ndjek operacionet e forcave amerikane, tha se njësitë që hynë të hënën në qytet për çlirimin e pengjeve gjetën rrugë të shkreta dhe dyqane të mbyllura.

Një fotoreporter i agjencisë së lajmeve Associated Press njoftoi gjithashtu se forcat nuk ndeshën në qendresë dhe se nuk gjetën pengje. Banorët dhe vëzhguesit thonë se, me sa duket, incidenti i pengjeve ishte ekzagjeruar tej mase dhe mund ta ketë pasur burimin në konfliktet ndërmjet fiseve. //az//

XS
SM
MD
LG