Lidhje

Sekretarja Rajs në Moskë për të diskutuar marrëdhëniet amerikano-ruse


Sekretarja amerikane e Shtetit Kondoliza Rajs shkon të martën në Moskë për bisedime me presidentin Vladimir Putin dhe zyrtarë të tjerë. Korrespondenti Andre de Nesnera u hedh një vështrim çështjeve thelbësore në marrëdhëniet ndërmjet Washingtonit dhe Moskës:

Ky do të jetë udhëtimi i parë i Sekretares Rajs në Moskë që kur mori postin e shefes së diplomacisë amerikane para disa muajsh. Zonja Rajs do të takohet me zyrtarë të qeverisë ruse në përgatitje për vizitën që do të zhvillojë në Moskë presidenti Bush më 9 maj, për të përkujtuar përfundimin e Luftës së Dytë Botërore në Evropë.

Në një konferencë me pjesëmarrjen e redaktorëve të gazetave amerikane gjatë fund-javës që kaloi, zonja Rajs tha se mesazhi i saj për udhëheqësit rusë do të jetë se një Rusi demokratike, e gjallë dhe e begatë është në interes të të gjithëve.

Analistët e çështjeve ruse kanë shrehur shqetësim lidhur me masat anti-demokratike të marra nga presidenti rus Vladimir Putin në vitet e fundit. Michael McFaul, ekspert i çështjeve ruse pranë Institutit Hoover, thotë se presidenti Putin ka kërcënuar median dhe ka konsoliduar pushtetin e presidentit.

"Më pas ai mori masa kundër shoqërisë civile dhe partive politike përmes ligjeve të reja, saqë tani ato janë dobësuar si burim i pavarur pushteti. Ndërkaq parlamenti, i cili më parë ishte një zë opozite dhe kontrolli mbi pushtetin e presidentit, tani nuk e ka më atë fuqi. Kohët e fundit ai eliminoi edhe zgjedhjen e drejtpërdrejtë të guvernatorëve, gjë që me kalimin e kohës do t’i bëjë udhëheqësit rajonalë të ndjehen më borxhli ndaj Kremlinit," thotë zoti McFaul.

Si rezultat, organizata për të drejtat e njeriut Freedom House, e cila më parë e kishte cilësuar Rusinë si “pjesërisht të lirë” i dha këtij vendi një klasifikim më të dobët, duke e cilësuar si një shoqëri jo të lirë.

Disa ekspertë thonë se presidenti Bush është treguar tolerant në kritikat e tij ndaj presidentit Putin, si rrjedhojë e marrëdhënieve të mira që ka me udhëheqësin rus. Por pas takimit të nivelit të lartë në shkurt të këtij viti në Bratisllavë, ku dy udhëheqësit patën rastin të flasin me njëri-tjetrin, presidenti tha në një konferencë për shtyp se kishte theksuar rëndësinë e idealeve demokratike:

"Pata rastin të theksoj shqetësimet lidhur me angazhimin e Rusisë ndaj këtyre parimeve universale. E bëra këtë në mënyrë konstruktive dhe miqësore. Unë theksova besimin se janë demokracia dhe liria ato që sjellin sigurinë dhe begatinë e vërtetë në çdo vend. Ne mund të mos bien gjithnjë dakort me njëri-tjetrin, dhe gjatë viteve të fundit kemi pasur raste të tilla, por kemi shumë pika të përbashkëta dhe mirëkuptim të ndërsjellë që është në të mirë të të gjithëve," tha presidenti Bush.

Ekspertët thonë se një ndër çështjet ku të dyja palët arrijnë mirëkuptin është lufta kundër terrorizmit. Gjatë takimit të nivelit të lartë në shkurt, dy palët vendosën të zgjerojnë bashkëpunimin për t’u siguruar që armët e shkatërrimit në masë janë inventarizuar dhe ruhen si duhet. Mathew Bunn, ekspert për armët bërthamore pranë Universitetit Harvard, thotë se mbrojtja e objekteve bërthamore ka rëndësi kritike:

"Nëse një grup terrorist i financuar dhe i organizuar mirë mund të shtjerë në dorë lëndët kryesore përbërëse për një bombë bërthamore, si uranium ose plutonium të pasuruar, ka të ngjarë që ky grup të jetë në gjendje të prodhojë një bombë bërthamore, sado primitive. Osama bin Laden është përpjekur ta bëjë këtë për më shumë se një dekadë. Pra në këtë moment jemi të angazhuar intensivisht për t’i mbrojtur stoqet e armëve jo vetëm në Rusi, por në mbarë botën, në mënyrë që terroristët dhe elementët kriminalë të mos kenë mundësi t’i shfrytëzojnë," thotë zoti Bunn.

Ekspertët nuk parashikojnë ndonjë ndryshim të rëndësishëm në marrëdhëniet amerikano-ruse. Përsëri zoti Michael McFaul i Institutit Hoover.

"Energjitë janë përqëndruar në vazhdimësinë e politikave, dhe kjo ndodh shpesh në mandatin e dytë të një presidenti: rallë herë ndryshon kursi i diplomacisë në mandantin e dytë. Pra nuk do të ketë ndryshime si rrjedhojë e zhvillimeve në Rusi, apo të ndonjë nisme të re të rëndësishme, e cila të mund të sjellë një bashkëpunim më të madh amerikano-rus," thotë analisti.

Ekspertët thonë se presidenti Bush ndeshet me zgjidhje të vështira në marrëdhëniet e tij me presidentin Putin. Nga njëra anë ai duhet të kritikojë masat anti-demokratike në Rusi. Por njëkohësisht, këto kritika nuk duhet të rezultojnë në armiqësimin e presidentit Putin dhe të sjellin një konfrontim të Moskës me Washingtonin.

XS
SM
MD
LG