Lidhje

Pikëpamje të ndryshme të deputeteve irakiane në lidhje me rolin dhe të drejtat e gruas në shoqëri


Asambleja e përkohshme e sapozgjedhur e Irakut po përgatitet të fillojë punën për hartimin e kushtetutës. Në të bëjnë pjesë përfaqësues të pikëpamjeve të ndryshme të grupeve politike, etnike dhe fetare.

Kjo larmi opinionesh pasqyrohet edhe tek gratë irakiane, që mbajnë 87 nga të 275 vendeve të asamblesë. Disa prej grave-deputete janë laike dhe po kërkojnë një gamë të gjerë të drejtash për gratë. Deputete të tjera duan që Iraku të ndjekë ligjin rigoroz islamik. Ndër të tjera, kjo do të thoshte t’u japësh burrave lejen të kenë deri në 4 gra dhe të kufizojnë të drejtat e pronësisë së grave.

Gratë shiite duan të pengojnë përparimin e grave, thotë Songul Shapuk Omer, e cila i përket grupit turkmen të Irakut dhe është deputete. Ato përbuzin gratë laike, shton ajo. Ato i shohin sikur të kenë bërë krim.

Shatha al-Musawi bën pjesë në një koalicion partish politike që njihet si Aleanca Shiite. Ajo thotë se nuk bën pjesë në lëvizjen feministe. Ajo thotë se nuk do të bëjë të njëjtin gabim që disa gra në perëndim kanë bërë. Ajo thotë se familja duhet të jetë parimi kryesor për gratë në Irak.

Jo të gjitha gratë shiite të Irakut janë dakord me këtë. Azhar Ramadan Rahim, gjithashtu deputete, tha se rregullat e shkruara para 1 mijë e 400 vjetësh nuk mund të zbatohen tani. Shatha al-Musawi përgjigjet se disa gra laike kanë një vështrim tepër negativ mbi islamin dhe nuk u kanë dhënë shansin grave si ajo të diskutojnë në lidhje me këtë temë. Ne, thotë ajo mund të arrijmë në një pikë të ndërmjetme.

Debati mbi të drejtat dhe rolin e grave në të ardhmen, pa dyshim që do të vazhdojë. Presidenti George Bush thotë se irakianët e kanë treguar që shpirti i kompromisit u ka rezistuar më shumë se tri dekadave diktaturë. ”Irakianët do të kenë nevojë për këtë frymë në javët e muajt e ardhshëm, në punën e vështirë të ndërtimit të demokracisë”.

Përparimi i çështjes së të drejtave të grave dhe i çështjes së lirisë janë pa diskutim të pandarë, thotë Presidenti Bush. Sot, thotë ai, po shohim gra që po zënë vendin që u takon në shoqëri që dikur ishin aq shtypëse dhe të mbyllura. Ne po shohim fuqinë dhe thirrjen e lirisë në secilën prej kulturave. Presidenti Bush thotë se gratë irakiane po luajnë një rol thelbësor në ndërtimin e vendit. Ata janë pjesë e së ardhmes së vendit. //az//
XS
SM
MD
LG