Lidhje

Alcajmeri, Kanceri, Bakter vdekjeprures


Alcajmeri është një sëmundje e pashërueshme, megjithatë, shkencëtarët thonë se një ilaç i ri mund të ngadalësojë procesin e përparimit të saj. Alcajmeri është sëmundje nga e cila vuajnë rreth 4 milionë amerikanë. Sëmundja quhet progresive pasi gjendja e pacientit shkon gjithnjë duke u keqësuar, pra është sëmundja ajo që përparon. Njerëzit që vuajnë nga kjo sëmundje, humbasin kujtesën dhe aftësinë për të komunikuar, dhe për të kryer veprimtaritë e përditëshme ata kanë nevojë të madhe për ndihmë profesionale dhe familjare.

74 vjeçarja Fransis Richmond vuan nga alcajmeri. Ajo harron ku i vendos gjërat dhe e ka të vështirë të mbaj mend emrat e njerëzve që takon.

Doktor Stiven Sallouej pranë spitalit Braun shpjegon gjendjen e pacientëve me këto simptoma. “Ata kanë problem me kujtesën afatshkurtër, pra nuk mbajnë mend atë që sapo kanë lexuar në gazetë, filmin që sapo e kanë parë, apo mesazhet telefonike.”

Tek shumë prej pacientëve me probleme të tilla kujtese, pas pak vjetësh Alcajmeri arrin shkallën e zhvillimit të plotë. Por një ilaç i ri i quajtur Aricept po ndihmon në ngadalësimin e përparimit të sëmundjes. Aricepti ndihmon qelizat nevore në tru për të komunikuar më mirë mes njëratjetres. Ka pak kohë që Aricepti përdoret gjeresisht nga personat e prekur nga Alcajmeri.

Tek pacientët që vuajnë nga humbja e kujtesës afatshkurtër, pra tek ata ku sëmundja ende nuk ka arritur zhvillimin e saj të plotë, ilaçi Aricept u tregua i efektshëm, thotë doktor Ronald Petersen pranë klinikës Mejo. “Ky është demonstrimi i parë i aftësisë për të zmbrapsur simptomat e Alcajmerit. Tek shumica e personave që morrën pjesë në studim përparimi i Alcajmerit u ndal për një vit. Pra gjendja e pacientëve u bë e qëndrueshme”.

Në disa raste gjendja e të sëmurëve që morrën Aricept u bë e qëndrueshme për deri 3 vjet. Shkencëtarët thonë se tani që ekziston mënyra për ndaljen e pëparimit të sëmundjes, më shumë njerëz ka të ngjarë të shkojnë për analiza tek mjeku që në shenjat e parë të humbjes së kujtesës.

Reçel kundër kancerit

Shkencëtarët pranë qëndrës mjekësore të universitetit Ohajo njoftuan këto ditë se një lloj reçeli me mana mund të luftojë kancerin. Ata thonë se gjatë trajtimit të disa llojeve të kancerit të gojës, reçeli me mana të zeza rasberry dha rezultate të mira. Në kuadër të këtyre provave, shkencëtarët e lyejnë tumorin me reçel dhe pas një farë kohe marrin prej tij mostra dhe i analizojnë për të përcaktuar në se reçeli ka ndryshuar përbërjen biologjike të tumorit. Provat në laborator ende vazhdojnë.

Bakteri Mersa

Ekspertët thonë se kohët e fundit ka filluar të haset një lloj shumë i rrezikshëm infeksioni. Por ajo që i shqetëson mjekët është se bakteri që shkakton këtë infeksion është rezistent ndaj ilaçeve dhe se mund të trajtohet vetëm në se zbulohet në fazën e herëshme, përndryshe ky infeksion sjell vdekjen. Në vështrim të parë, këto baktere duken të padëmshme, por në fakt ato përbëjnë një kërcënim serioz në rritje. Dhe këtë askush nuk e di më mirë sesa prindërit e Riki Lanetit, lojtar futbolli i një skuadre universitare. Menjëherë pas ndeshjes, Riki e ndjehu veten të sëmurë. I ati i tij tregon se Riki mezi mbushej me frymë. E ëma e tij thotë se në fillim, mjekët nuk e kuptuan se çfarë kishte. Në më pak se 24 orë pas shtrimit në spital, Riki 21 vjeçar vdiq si pasojë e prekjes nga bakteri i llojit Staf i quajtur Mersa, bakter rezistent ndaj antibiotikëve. Mjekët thonë se këto lloj baktere krijohen si pasojë e përdorimit të papërshtatshëm të antibiotikëve ose të përdorimit të tyre tejmase. Deri kohët e fundit, infeksionet me baketrin Mersa ndesheshin thuajse vetëm në spitale tek pacientët e kuruar për një kohë të gjatë me antibiotike. Por një studim i ri që përfshiu disa qytete kryesore si Atlanta, Baltimor dhe Mineapolis, tregon se infeksione me këtë bakter janë vënë re edhe në komunitete, jashtë spitaleve. Ekspertët thonë se Bakteri Mersa që haset në komunitete duket i njëjtë, por në fakt është ndryshe nga ai në spitale. Disa nga simptomat e infeksionit janë shenja të kuqe që duken si pickime insektesh, që nuk duken alarmuese. Por këto njolla të kuqe zmadhohen dhe kthehen në plagë që shoqërohen me reaksione të forta helmuese në trup. Studimet tregojnë se bakteri Mersa mund të kthehet në mishngrënës dhe 14 raste të tilla u zbuluan kohët e fundit në Los Anxheles. Shkencëtarët u bëjnë thirrje qëndrave mjekësore dhe në veçanti klinikave që të përgatiten më mirë për të trajtimin e personave që mund të preken nga ky bakter i ri vdekjeprurës.

XS
SM
MD
LG