Lidhje

Papa i ri Benedikt XVI jep meshën e parë


Papa i sapo zgjedhur Benedikti XVI dha meshën e parë, duke u zotuar të bashkojë të gjithë të krishterët dhe të vazhdojë një dialog të hapur dhe të sinqertë me të gjitha fetë e tjera.

Ish kardinali Josef Ratcinger e mbajti meshën sot në latinisht në Kapelën Sistine, para kardinalëve që e zgjodhën atë më pak se 24 orë më parë. Papa 78-vjeçar i lindur në Gjermani tha se pati një ndjenjë pasigurie kur kardinalët e zgjodhën atë ditën e dytë të konklavit. Por ai tha se ndjeu se paraardhësi i tij Papa Gjon Pali i Dytë, “po i shtërngonte dorën”.

Papa konfirmoi gjithashtu se do të marrë pjesë në festimet e Ditës Botërore së Rinisë në Këln të Gjermanisë në muajin gusht. Mesha zyrtare për inagurimin e Papës Benedikt, udhëheqësit të 265-të të Kishës Katolike Romane do të mbahet të djelën në Sheshin e Shën Pjetrit.

Kreu i Kishës Ortodokse ruse e përshëndeti zgjedhjen e Papës së ri, Benediktit XVI. Media ruse citoi Patriarkun Aleksi i Dytë se ka bërë thirrje për dialog dhe për një bashkëpunim më të ngushtë mes dy kishave të krishtera, që u ndanë nga njera tjetra në vitin 1054. Patriarku citohet të ketë thënë se shpreson që marrëdhëniet të përmirësohen gjatë papatit të Benediktit XVI.

XS
SM
MD
LG