Lidhje

Të rejat e javës në ekonomi


Ndër zhvillimet që lidhen me ekonominë, këtë javë, ndër të tjera, tërhoqën vëmendje lajmet për ndryshime në bursën më të madhe të botës, atë të New Yorkut, dhe shqetësimet për inflacion në Shtetet e Bashkuara. Në Tiranë qeveria shqiptare mori një letër nga Banka amerikane e Eksport-Importit në lidhje me projektin e naftësjellësit Burgas-Vlorë dhe të një termocentrali në Vlorë.

Bursa e New Yorkut njofton se ka në plan të shkrihet me një kompani elektronike këmbimi aksionesh që quhet Archipelago. Bursa e New Yorkut është më e madhja në botë dhe një nga vendet e pakëta, ku aksionet ende blihen e shiten përmes britmave e shenjave. Drejtues të bursës thonë se kjo traditë 200-vjeçare këmbimi aksionesh, do të bashkëjetojë me sistemin elektronik të këmbimit. Megjithatë, disa analistë thonë se sistemi i vjetër ka mundësi të mos ketë jetë të gjatë.

Inflacioni në Shtetet e Bashkuara regjistroi shifrat më të larta në pesë muaj. Departamenti amerikan i Punës bën të ditur se rritja e kostos së energjisë, veshmbathjeve dhe transportit ajror shkaktoi rritjen e indeksit të çmimeve në muajin mars me 0,06 për qind - dyfishi i shifrës së parashikuar.

Këtë javë mjetet e shtypit njoftuan për një letër që Banka amerikane e Eksport-Importit i dërgoi qeverisë shqiptare në lidhje me financimin e projektit të shumë përfolur të një naftësjellësi dhe të një termocentrali. Zyrtarë të Bankës i thanë Zërit të Amerikës se fjala është thjeshtë për një letër mirëkuptimi. Përmes letrave të mirëkuptimit Banka e Eksport-Importit shpreh interes për financim projektesh, por deri në konkretizimin e financimit duhen kaluar mjaft procedura. Projekti për ndërtimin e naftësjellësit Burgas-Vlorë do të bënte të mundur rrjedhjen e naftës nga brigjet e Detit të Zi në Adriatik dhe vlerësohet se do të kapë shumën e mbi 1 miliard dollarëve. Ndërsa termocentrali në Vlorë mendohet të kushtojë rreth 112 milionë dollarë. Banka amerikane e Eksport-Importit është agjenci qeveritare e pavarur e cila ndihmon eksportin e mallrave dhe shërbimeve amerikane përmes kredive, garancive dhe siguracioneve.

XS
SM
MD
LG