Lidhje

Japoni: aksident i rëndë hekurudhor; vdesin 57 vetë


Një tren urban plot me njerëz u përplas sot me një pallat banimi pranë qytetit të Osakës në Japoninë Perëndimore duke shkaktuar vdekjen e të paktën 57 personave dhe plagosjen e më shumë se 400 të tjerëve.

Në momentin e aksidentit treni me shtatë vagonë kishte 550 pasagjerë. Ai doli nga shinat në orët e mëngjesit me trafik të dendur në një zonë urbane rreth 400 kilometra nga Tokioja.

Vagonat e parë të trenit u dëmtuan rëndë kur u përplasën në ndërtesë. Ekipet e shpëtimit punuan për orë të tëra në përpjekje për nxjerrjen e pasagjerëve të bllokuar në vagona.

Nuk ka ende njoftime se sa kalimtarë të rastit dhe banorë të pallatit janë mes viktimave.

Autoritetet, ndërmjet të tjerash, po hetojnë shpejtësinë e trenit dhe sistemin e frenimit. Ky është aksidenti më i rëndë në Japoni në më shumë se 4 dekada. Trenin e kontrollonte një makinist 23-vjeçar me më pak se një vit përvojë. //az//

XS
SM
MD
LG