Lidhje

Presidenti Alfred Moisiu dekreton datën 3 korrik për zgjedhjet e ardhshme parlamentare


Në Shqipëri, Presidenti Alfred Moisiu dekretoi sot datën e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare duke caktuar 3 korrikun ditën e zhvillimit të tyre. Në deklaratën e tij presidenti Moisiu përsëriti edhe një herë rëndësinë që këto zgjedhje kanë për integrimin e Shqipërisë dhe u bëri thirrje të gjitha institucioneve të përfshira në procesin zgjedhor të zbatojnë afatet ligjore.

Pas një periudhe të gjatë debatesh mes forcave politike Presidenti Alfred Moisiu shpalli sot 3 korrikun si datë për mbajtjen ezgjedhjeve. Kreu i shtetit mori këtë vendim pas konsultimesh të shumta me përfaqësues politikë dhe të organizmave ndërkombëtare. Konsultimet e tij nisën që në fund të vitit të kaluar dhe shpesh ai u gjend nën trysninë e forcave kryesore politike. Nga njëra anë ishte opozita e cila organizoi dhe një tryezë të partive të djathta për të kërkuar që zgjedhjet të mbaheshin në muajin qershor. Kërkesë të cilën ia përsëriti dhe pak ditë më parë kryetari i PD-së, Sali Berisha, në takimin dypalësh në presidencë. Këmbëngulja e opozitës kishte të bënte me dëmin që, sipas saj, do të sillte për turizmin votimi gjatë sezonit të verës. Megjithatë tonet nganjëherë dhe të ashpra të Partisë Demokratike erdhën më pas duke u zbutur dhe duke i njohur presidentit kompetencën që ai ka për caktimin e datës së zgjedhjeve.

Edhe socialistët nuk mbetën prapa në reagimet e ashpra. Për mundësinë e mbajtjes së zgjedhjeve në qershor ato paralajmëruan presidentin duke i kujtuar atij se duhet të respektonte kushtetutën, gjë të cilën në të vërtetë kreu i shtetit e kishte përsëritur disa herë. Kushtetuta nuk linte shumë hapësira që Presidenti Moisiu të gjente kompromis mes forcave politike pasi përcaktonte qartë se data mund të zgjidhej vetëm brenda harkut 3 korrik - 3 gusht. Përpjekja e opozitës për të ndryshuar me ligj këtë afat kohor dështoi dhe kreut të shtetit nuk i mbetej mundësi tjetër veç datës që ai zgjodhi, 3 korrikut.

Ndërsa deklaroi publikisht dekretimin e datës presidenti përsëriti dhe një
herë rëndësinë që kanë për vendin këto zgjedhje: "Mendoj se ky është një moment i rëndësishëm për zhvillimet politike në vend, pasi që sot merr udhë një process elektoral, rezultatet e të cilit do të na japin kuvendin e ri. Këto zgjedhje janë shumë të rëndësishme për procesin integrues dhe zhvillimin e vendit".

Kreu i shtetit i bëri thirrje parlamentit dhe institucioneve të tjera të përfshira në procesin zgjedhor që të respektojnë të gjithë afatet ligjore në përmbyshjen e detyrave të tyre. //az//

XS
SM
MD
LG