Lidhje

Zyra Amerikane në Prishtinë i kërkon qeverisë dhe opozitës të përqendrohen në çështje më të rëndësishme, si plotësimi i standarteve dhe statusi i Kosovës


Shefi i zyrës amerikane në Prishtinë, Philip Goldberg, theksoi dy çështje kryesore: çështjet që kanë të bëjnë me sigurinë dhe dialogun politik. Zoti Goldberg, tha se çështjet e sigurisë janë të rëndësishme; ato duhen kuptuar dhe zgjidhur. Dialogu politik, vazhdoi ai, duhet të jetë më konstruktiv dhe të drejtohet në çështje shqetësuese, shumë të rëndësishme për të gjithë në Kosovë. ”Toni i përgjithshëm nuk po shkon në drejtimin e duhur”, theksoi zoti Goldberg, duke shtuar se debatet që nuk i shërbejnë ndonjë qëllimi në parlament, nuk janë pjesë e një procesi të mirë demokratik dhe, në një masë, vetëm dëmtojnë pozicionin e Kosovës, ndërkohë që shkohet drejt procesit të standarteve dhe statusit.

”Kjo është dicka që mendoj se udhëheqësit në Kosovë duhet të përqendrohen dhe ta kthejnë drejtë, për ta bërë procesin, të funksionojë për të mirën e njerëzve”, theksoi zoti Goldberg.

Kryeministri Bajram Kosumi bëri thirrje për një gjuhë mirëkuptimi, të argumentuar dhe që nuk nxit urrejtje. Kryeministri pohoi se ka rritje tensioni në Kosovë dhe theksoi se, për çështjet e sigurisë, duhet të ketë një përgjigje unike nga UNMIK-u, KFOR-i dhe Qeveria e Kosovës. Ai pohoi gjithashtu se ka një ashpërsim të fjalorit politik dhe kërkoi që të krijohen raportet pozitë-opozitë.

Zoti Kosumi tha se në ndërtimin e demokracisë duhet të angazhohen të gjithë. Lidhur me bisedimet për statusin përfundimtar, ai tha se për to do të arrihet një qendrim unik ndërkohë që pohoi se do të bëhen përpjekje për të gjetur një mekanizëm unifikues në të cilin do të përfshihen edhe udhëheqësit e opozitës.

Shefi i zyrës amerikane në Prishtinë, Philip Goldberg, përsëriti të njëjtin mesazh për opozitën në Kosovë. Në një takim me kryetarin e partisë më të madhe opozitare, Partia Demokratike, Hashim Thaci, zoti Goldberg tha se duhet tejkaluar klima politike aktuale që po mbizotëron në Kosovë në mënyrë që të ecet përpara për çështje të rëndësishme, si standardet dhe statusi përfundimtar. Aftësia e njerëzve për të vepruar në mënyrë demokratike dhe për të pasur mendime të përbashkëta është shumë e rëndësishme për standardet dhe statusin final, tha ai. Ndërsa zoti Thaci kërkoi që institucionet e Kosovës të funksionojnë në mënyrë më demokratike për krijimin e një fryme pozitive në zhvillimin e gjithëmbarshëm të Kosovës.

Po të hënën, në Kosovë mbërriti për një vizitë dy-ditëshe ministri i jashtëm i Shqipërisë, Kastriot Islami, i cili u takua me kryeadministratorin Sorren Jessen-Petersen dhe kryeministrin Bajram Kosumi, ndërsa nesër pritet të takohet me kryetarin e parlamentit Nexhat Daci, shefat e opozitës, Hashim Thaçi dhe Veton Surroi, si dhe përfaqësuesi i serbëve të Kosovës, Oliver Ivanoviç.

Zoti Petersen duke komentuar vendimin për mënyrën e re të kontrollit të kufijve midis Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedonisë, pas takimit me zotin Islami, tha se kjo ka të bëjë me menaxhimin fleksibël të kufijve Ministri Islami, e mbështeti këtë vendim të administratës ndërkombëtare në Kosovë, duke mos e quajtur atë regjim vizash midis dy vendeve. Zoti Islami theksoi dy çështje me rëndësi në Prishtinë, rritjen e efikasitetit të klasës politike në Kosovë, të pozitës dhe opozitës dhe ruajtjen e stabilitetit në vend. //az//

XS
SM
MD
LG