Lidhje

Islami: Nuk ka asnjë në Shqipëri, rajon dhe botë, që mund të shesi dhe të blejë Kosovën


Ministri i Jashtëm i Shqipërisë, Kastriot Islami, gjatë vizitës së tij dy-ditore në Kosovë, po takohet me autoritetet kryesore të vendit dhe sapo ka përfunduar një takim me kryeadministratorin e UNMIK-ut, Sorren Jessen Pettersen. Menjëherë pas takimit zoti Islami dha një intervistë për Zërin e Amerikës.

Zëri i Amerikës: Zoti Islami, sa e rëndësishme është kjo vizitë për marrëdhëniet midis të dy vendeve dhe çfarë konkretisht synohet të arrijë ajo?

Kastriot Islami: Është një vizitë mjaft e rëndësishme. Kontaktet ndërmjet Shqipërisë dhe Kosovës kanë qenë kontakte permanente, transprente, kontakte institucionale, kontakte deri të karakterit jo-formal. Në këtë vizitë, e cila ka qenë e parashikuar dhe është shtyrë për disa arsye që lidheshin me kalimin vullnetar të zotit Haradinaj në Hagë dhe pastaj krijimin e qeverisë, ne kemi vlerësuar maksimalisht qeverinë shqiptare, rolin dhe kontributin e zotit Petresen në këto momente dhe natyrisht, unë kam shprehur edhe një herë vlerësimin për progresin e bërë në Kosovë gjatë gjithë kësaj kohe. Pastaj, së bashku pas një prezantimi të bërë nga zoti Petersen, kemi bashkëndarë mendimin që është mjaft i rëndësishëm mbi stabilitetin dhe klimën e krijuar gjatë kësaj kohe për të rritur efikasitetin e veprimeve të klasës politike kosovare, ku përfshihen jo vetëm qeveria, por edhe opozita, të gjithë institucionet: Presidenti, Parlamenti, natyrisht në bashkëpunim të ngushtë me K-Forin dhe UNMIK-un, në funksion të tri komponenteve prioritare, që do të ishin në radhë të parë, implementimi i standarteve dhe arritja e një vlerësimi pozitiv të tyre në muajt që vijnë; së dyti, për të punuar maksimalisht përsa i përket procesit të decentralizimit dhe momenti i tretë, fillimi i diskutimeve dhe negociatave për statusin e Kosovës.

Zëri i Amerikës: Ky është një vit vendimtar për të ardhmen e Kosovës, pas disa muajsh do të bëhet vlerësimi i standarteve të caktuara nga komuniteti ndërkombëtar, si dhe do të fillojnë bisedimet për statusin përfundimtar. A ka Shqipëria tashmë një strategji diplomatike për Kosovën?

Kastriot Islami: Natyrisht, në qoftë se ka një vend që ka një strategji të qartë dhe një veprim aktiv diplomatik, është pikërisht Shqipëria, por njëkohësisht pozicionet e Shqipërisë dhe qëndrimet e saj kanë mjaft të moderuara dhe të vlerësuara nga komuniteti ndërkombëtar; në qoftë se ka një parametër që është vlerësuar maksimalisht nga komuniteti ndërkombëtar, është politika e jashtme rajonale dhe për më tepër, ajo në funksion të çështjeve që lidhen me faktorin shqiptar në rajon. Do të thoja për rastin e Kosovës, siç thashë, duke vlerësuar maksimalisht progresin e bërë gjatë kësaj kohe, ne presim nga klasa politike kosovare që ajo të çojë të gjithë implementimin e standarteve drejt një raporti pozitiv. Momenti i dytë, natyrisht, është ai që lidhet me fillimin e diskutimit për statusin e Kosovës. Qëndrimi i Shqipërisë dihet. Ne mbështesim një formulim nga një konsensus i gjerë i grupeve politike dhe etnike në Kosovë, përsa i përket pikërisht statusit, pra një dialog i brendshëm me një efikasitet maksimal, pra me një konsensus sa më të gjerë dhe e dyta, kjo zgjidhje, do të ishte natyrisht një zgjidhje që do të kishte legjitimitetin e komunitetit ndërkombëtar, pra vendim-marrjen nga Këshilli i Sigurimit. Natyrisht, që janë të rëndësishme në këtë proces edhe dialogu që do të bëhej si komponent i të gjithë këtij procesi. Nuk flasim për çështje të veçanta midis Prishtinës dhe Beogradit dhe roli i të gjithë vendeve fqinje në funksion të gjetjes së një zgjidhjeje që rrit stabilitetin dhe sigurinë në rajon. Pra, e gjithë zgjidhja që do të vijë për statusin e ardhshëm të Kosovës, që do të jetë në një perspektivë evropiane, duhet lexuar pikërisht në kontekstin e të gjithë këtyre parametrave të thashë pak më sipër.

Zëri i Amerikës: A mund të thuhet se tashmë është kapërcyer mosmarrëveshja pas nënshkrimit mes Tiranës dhe Beogradit, të një marrëveshjeje mes të dy vendeve, që shkaktoi pakënaqësi në Kosovë dhe që u përfol së tepërmi edhe në shtyp?

Kastriot Islami: Unë e kam konsideruar një spekullim thjesht mediatik për shkak të një difekti kompjuterik dhe bëhej fjalë për një marrëveshje teknike, siç është ajo e shmangies së tatimit të dyfishtë, ku Shqipëria, fillimisht, para se ta nënshkruante me Beogradin e ka nënshkruar atë me Kosovën; pra, ku është destinuar qartë territori ku vepron pikërisht kjo marrëveshje, pra është territori i Kosovës. E njëjta gjë është bërë edhe me Serbi-Mali i Zi, ku destinohet pjesa e territorit të Serbi-Mali i Zi dhe Kosova nuk është e përfshirë sepse është e përfshirë në marrëveshjen tjetër; dhe e gjithë pjesa tjetër ka qenë thjesht një spekullim dhe ju duhet të kuptoni se nuk ka asnjë në Shqipëri, nuk ka asnjë në rajon, nuk ka asnjë në botë, që mund të shesi dhe të blejë Kosovën; bile është krejtësisht e kundërta, që Shqipëria ka luajtur një rol maksimal që prej shumë vitesh, në mënyrë të veçantë gjatë periudhës kur janë kryer bombardimet në Kosovë nga NATO dhe në mënyrë të veçantë, gjatë gjithë kësaj kohe, edhe kontaktet me klasën politike kosovare, me Kosovën, me institucionet e saj, kanë qenë mjaft transparente, publike, të ndershme, efikase dhe të vlerësuara nga komuniteti ndërkombëtar.

Zëri i Amerikës: Cili do të ishte komenti juaj për vendimin e UNMIK-ut për hyrjen në Kosovë me viza edhe të vizitorëve nga Shqipëria dhe Maqedonia, i cili nënkupton pra, edhe të anasjelltën, lëvizjen e qytetarëve të Kosovës me viza, konkretisht në Shqipëri dhe Maqedoni.

Kastriot Islami: E kemi biseduar me zotin Petersen. Nuk bëhet fjalë për një regjim vizash, bëhet fjalë për rregullimin e kalimit të kufirit që kufizon Shqipërinë me Kosovën dhe që kufizon Kosovën me Maqedoninë. Ky është një element tjetër mjaft i rëndësishëm që po ndodh në të gjithë rajonin e Ballkanit dhe duhet kuptuar që ballancimi ndërmjet menaxhimit të kufirit, bile menaxhimit të integruar të kufirit dhe lëvizjes së lirë janë dy komponente të së njëjtës medalje. Po kështu, kjo tregon edhe një herë tjetër, që edhe ky kufi po futet në bashkësinë e kufijve të tjerë të rajonit, kufi që menazhohet në mënyrë dhe në perspektivë evropiane. Gjithashtu, unë do të thoja që menaxhimi më i mirë i kufirit, rregullimi i lëvizjes së lirë të qytetarëve nga të dy anët, ka, dhe kemi rënë dakord edhe me zotin Petersen, që do të ketë fleksibilitetin më të madh, që mos ketë asnjë lloj pengese, e kundërta, që qytetarët dhe të gjithë ata që lëvizin në mënyrë legale, të kenë mundësi të lëvizin sa më lirisht. Kjo tregon që edhe ky kufi, po kthehet si të gjithë kufijtë e tjerë dhe unë e konsideroj një hap pozitiv, porgresi, në funskion të ndërtimit të kufijve me perspektivë evropiane dhe bile në këtë rast, kam kërkuar që edhe klasa politike kosovare, pra përfaqësues nga Kosova dhe UNMIK-u të jenë prezent në të gjitha tavolinat rajonale gjë të do ta vendosi në të njëjtin kontekst, në të njëjtën tavolinë, në të njëjtën perspektivë edhe të gjithë përmbajtjen që vjen nga Kosova.

XS
SM
MD
LG