Lidhje

Shqipëri: Rreziqet që vijnë nga pastrimi i parave dhe financimi i terrorismit


Prokurori i Përgjithshëm Theodhori Sollaku deklaroi sot se mungesa e eksperiencës në njohjen e fenomenit të pastrimit të parave dhe financimit të terrorrizmit mund të krijojnë terrenin e favorshëm që organizatat terroriste ta shfrytëzojnë Shqipërinë dhe rajonin si bazë për mbështetje logjistike dhe financimin e tyre.

Këto komente zoti Sollaku i bëri në hyrje të një seminari një javor që nisi sot në Tiranë mes ekspertëve e prokurorëve shqiptarë dhe atyre amerikanë nga Departamenti i Mbrojtjes, i Thesarit dhe i Drejtësisë.

Në Shqipëri është folur shpesh për pastrimin e parave apo dhe financimin e terrorrizmit. Në mesin e viteve ’90 në vend gjetën strehë shumë organizata që nën petkun e veprimtarive bamirëse e fetare fshihnin lidhje me terrorrizmin. Disa persona u kapën dhe mjaft llogari bankare të një shtetasi arab janë bllokuar. Por fenomeni mbetet i rrezikshëm duke patur parasysh dhe veprimin e rrjeteve të trafiqeve ndërkombëtare.

Prokurori i Përgjithshëm Theodhori Sollaku paralajmëroi sot se mundësia e pranisë së këtyre fenomeneve mbetet: "Megjithëse Shqipëria si dhe rajoni jonë nuk ka lidhje historike me terrorizmin ndërkombëtar, duhet të jemi te vetëdijshëm se mungesa e experiences, si dhe shkalla e ulet e njohjes së fenomenit, krijon terrenin e favorshëm që organizatat terroriste nëpërmjet aktiviteteve në dukje të ligjshme, ta shfrytëzojnë vendin dhe rajonin tonë si bazë për mbështetjen logjistike dhe financimin e tyre". Pastrimi i parave dhe riciklimi i tyre në jeten ekonomike dhe politike" , u shpreh zoti Sollaku, shton rrezikun që vjen nga krimet e rënda si trafiqet e drogës, armeve, kontrabanda, etj, dhe i krijon mundësinë krimit të organizohet, fuqizohet dhe të fshihet mbas investimeve në dukje të ligjshme.

Nga ana tjetër, tha ai, futja e parave të pista dëmton zhvillimin ekonomik normal të vendit, krijon ekonomi paralele informale duke asfiksuar bizneset e ligjshme, dobëson sistemin e tatim-taksave dhe shtetin ligjor dhe nxit korrupsionin nëpërmjet mitëmarjes, financimeve të fshehta të politikës: "Realiteti shqiptar na ballafaqon me dy tabllo të kundërta, në njëra anë konstatojmë me kënaqësi fuqizimin dhe shtimin e investimeve nga bizneset e ndershme që operojnë prej vitesh ne treg, por nga ana tjetër të gjithë jemi dëshmitarë të investimeve në vlera të mëdha nga biznese apo individë që më se paku janë anonimë" .

Nga ana e saj edhe ambasadorja e Shteteve të Bashkuara, Marsi Rice u shpreh se krimi financiar, në të gjitha format e tij të shumta, gjendet në qendër të disa prej kërcënimeve më të mëdha ndaj shtetit ligjor, si në Shqipëri ashtu edhe në botë. "Eshtë shumë e rëndësishme që t’i sulmojmë këto probleme në mënyrë proaktive; sepse këto krime mund të vënë në lojë fitime shumë të mëdha, dhe sepse ato shkaktojnë shumë më tepër dëm sesa krimet e pak viteve më parë". Së pari tha ambasadorja Rice, krimi financiar dhe pastrimi i parave janë shpesh mjete kryesore të korruptimit, si në insitucionet publike, ashtu edhe në veprimtarinë private tregëtare. Dhe së fundi, - shtoi ajo- një nga shqetësimet më të mëdha, krimet financare të sofistikuara dhe pastrimi i parave po përdoren gjithnjë e më shumë për financimin e terrorizmit,, shpesh nga vende larg vendngjarjes së ndonjë sulmi terrorist". "Kështu që është më e rëndësishme se kurrë – deklaroi ambasadorja amerikane - që strukturat e zbatimit të ligjit dhe të drejtësisë penale të kenë mjetet, ligjet, pajisjet dhe aftësitë e sofistikuara për të luftuar këto krime. Po nuk u luftua, krimi financiar mund të minojë progresin e pothuajse të gjitha aspekteve të jetës kombëtare", deklaroi zonja Rice.

XS
SM
MD
LG