Lidhje

Shtohen shqetësimet për cmimet e naftës


Në Shtetet e Bashkuara po shtohet shqetësimi për çmimet në rritje të naftës. Pikërisht çmimet e energjisë ishin dje tema kryesore e bisedimeve kur Presidenti Bush u takua në fermën e tij në Teksas me Princin trashëgimtar Abdullah të Arabisë Saudite një vend i pasur me naftë.

Para se Princi trashëgimtar Abdullah të mbërrinte në fermën e tij, Presidenti Bush u tha gazetarëve se princi e ka të qartë se ka shumë rëndësi që çmimet e naftës të jenë të arsyeshme. “Çmimet e larta të naftës dëmtojnë tregjet. Dhe ai e di një gjë të tillë. Ky është një subjekt i rëndësishëm”, tha Presidenti Bush.

Pas takimit të Presidentit Bush me Princin Trashëgimtar Abdullah, Adel al-Jubeir, këshilltari i princit për punët e jashtme tha se vendi i tij e ka kapacitetin të prodhojë më shumë naftë dhe ka premtuar ta bëjë një gjë të tillë. Por ai shtoi se problemi në fakt nuk qëndron aty. “Ne besojmë se çmimi i naftës së papërpunuar nuk pasqyron përmasat e sakta të të kërkesës dhe ofertës. Sot në botë nuk mungon nafta, por aftësitë për përpunimin e saj si edhe infrastruktura dhe këto e ngrenë çmimin e naftës”. Ai tha gjithashtu se frika nga paqëndrueshmëria në vendet prodhuese të naftës, siç është Iraku, është faktor në ngritjen e çmimit.

Arsye të tjera janë hovi i zhvillimit në Kinë dhe Indi, ku kërkesa për energji po rritet me ritme galopante. Këshilltari amerikan për Sigurinë Kombëtare Stephen Hadley tha se ky problem dhe çështje të tjera që kanë lidhje me kërkesën dhe ofertën u trajtuan në bisedimet mes Shteteve të Bashkuara dhe Arabisë Saudite. Ai tha gjithashtu se delegacioni saudit kishte ardhur në Shtetet e Bashkuara me një plan për përmirësimin e gjendjes. “Ky plan ka të bëjë me një çështje me rëndësi kur bëhet fjalë për çmimin, që është sasia e naftës dhe kapaciteti i saj. Dhe sigurisht duke rritur kapacitetin e prodhimit, rritet sasia e naftës në treg, gjë që stabilizon tregun në një nivel çmimesh, për të cilin si Shtetet e Bashkuara, ashtu edhe Arabia Saudite janë të një mendjeje se duhet të jetë i tillë që të sjellë të ardhura për investime, por gjithashtu nuk duhet të jetë aq i lartë sa të dëmtojë tregjet dhe ekonominë botërore”.

Ish-ambasadori amerikan në Arabinë Saudite, Walter Cutler nuk habitet që sauditët po tregojnë një bashkëpunim të tillë. Ai thotë se ata prej vitesh kanë bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara për t’i mbajtur çmimet të qëndrueshme. “Nuk mendoj se është vënë në dukje aq sa duhet sesa rëndësi ka për të dyja palët një nivel i arsyeshëm i çmimit të naftës. Dhe bashkëpunimi në këtë drejtim ka qenë i mirë”. Ai parashikon që kjo prirje të vazhdojë.

Por ambasadori Cutler thotë se një pjesë e përgjegjësisë për rritjen e çmimit bie mbi amerikanët, pasi ata nuk e kanë ulur konsumin. “Në këtë vend, nafta që përdoret për transport është një faktor kryesor. Ne në Amerikë bëjmë dot pa makinat tona të mëdha”, thote ambasadori. Këto makina shpenzojnë shumë më tepër naftë sesa të tjerat, gjë që rrit kërkesat për karburant, duke e ngritur çmimin e naftës.

XS
SM
MD
LG