Lidhje

Karta e Adriatikut: arritjet dhe sfidat në përpjekjet për antarësim në Nato


Me nënshkrimin e Kartës së Adriatikut, Tirana, Zagrebi dhe Shkupi u angazhuan për një seri reformash të rëndësishme ushtarake dhe juridike në përpjekje për të arritur antarësim në Nato në një të ardhme të afërt. Në një diskutim të zhvilluar dje në Qendrën për Studime Ndërkombëtare dhe Strategjike, ambasadorët e këtyre vendeve në Washington, theksuan arritjet e deritanishme dhe sfidat me të cilat ende ndeshen këto vende në arritjen e parametrave për antarësim.

Dy vjet pas nënshkrimit të Kartës, thotë ambasadori i Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara, Fatos Tarifa, janë shënuar përparime të ndjeshme në drejtim të përmbushjes së kritereve për antarësim në Nato: "Pyetja se kur këto vende do të përfshihen në Aleancë, mund të jetë ende për diskutim nga vendet anëtare të Natos. Por nuk diskutuar më një e ardhme e këtyre vendeve brenda Aleancës".

Zoti Tarifa është optimist se, megjithë vështirësitë, kriteret do të përmbushen për të përfunduar procesin e antarësimit në vitin 2008. Për të arritur këtë afat-kohor, thotë ai, Shqipëria është angazhuar në një sërë reformash për të modernizuar dhe ristrukturuar forcat e saj të armatosura: "Në këtë raund të zgjerimit të Natos, vëmendja është përqëndruar më së shumti në krijimin e aftësive dhe të angazhimit që tregojnë vendet kandidate për antarësim". Për këtë arsye, shpjegon ambasadori Tarifa, Shqipëria po punon si në drejtim të përshtatjes së forcave të saj për të funksionuar brenda strukturave të Natos, ashtu edhe për të krijuar forca të specializuara.

Drejtori i Projektit për Evropën Lindore pranë Qendrës për Studime Ndërkombëtare dhe Strategjike, Janush Bugajski theksoi se Shqipëria ka bërë përparim shumë të mirë, në drejtim të modernizimit të ushtrisë të ristrukturimit të forcave ushtarake dhe vendosjes së komandës civile mbi këto forca. "Mendoj se Shqipëria i ofron Natos një marrëdhënie shumë të fortë me Shtetet e Bashkuara si dhe përvojën e bashkë-veprimit me forcat amerikane në Afganistan," thotë zoti Bugajski.

Por, siç theksuan pjesëmarrësit në diskutim, reformat në ushtri nuk janë i vetmi kriter i angazhimit në Nato dhe se këto vende kanë ende një rrugë të gjatë për të bërë në drejtim të modernizimit të shoqërive të tyre dhe ndërtimit e forcimit të institucioneve demokratike. Në këtë drejtim zoti Tarifa theksoi se Shqipëria vazhdon përpjekjet në luftën kundër korrupsionit, forcimin e shtetit ligjor dhe ruajtjen dhe zgjerimin e rritjes ekonomike.

Zoti Bugajski tha se procesi i integrimit të Shqipërisë në strukturat euroatlantike ndodhet tani para një prove të madhe: "Sfida më e madhe janë zgjedhjet që do të zhvillohen këtë verë. Mendoj se këto janë zgjedhjet më të rëndësishme që pas rënies së komunizmit, jo vetëm sepse do të tregojnë drejtimin që ka marrë Shqipëria, por edhe sepse do të tregojnë zhvillimin e demokracisë në vend, pra sa legjitime, sa të lira dhe të drejta dhe sa do të pranohen këto zgjedhje dhe nëse nga këto zgjedhje do të dalë një forcë politike që përshpejtojë ritmet e përgatitjes së Shqipërisë, në mënyrë që të vihen në zbatim kushtet e nevojshme dhe të zbatohen kriteret që duhen vënë në zbatim për antarësim në BE," thotë analisti i Qendrës për Studime Ndërkombëtare dhe Strategjike.

Ambasadori i Kroacisë, Neven Jurica foli për përpjekjet që po bën vendi i tij në drejtim të pajtimit etnik, ku veçoi edhe përpjekjet për të bashkëpunuar me Gjykatën e Hagës. Komuniteti ndërkombëtar kërkon me këmbëngulje që Zagrepi të kapë dhe të dorëzojë në këtë Gjykatë gjeneralin e akuzuar për krime lufte Ante Gotovina.

Duke folur për përpjekjet e Maqedonisë në drejtim të integrimit në strukturat euro-atlantike, ambasadori maqedon në Washington, Nikola Dimitrov, theksoi se është arritur sukses në zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit për të konsoliduar ekzistencën e një shoqërie shumë-etnike. Ambasadori Dimitrov i cilësoi zgjedhjet e fundit si një tregues i suksesit që po shënon procesi i decentralizimit në vend.

Antarësimi në Nato, theksuan ambasadorët, ka një rëndësi strategjike si për vendet e Ballkanit perëndimor, ashtu edhe për vetë aleancën euro-atlantike, që e shikon këtë proces si një garanci për integrimin e suksesshëm të këtyre vendeve në gjirin e komunitetit demokratik botëror.

XS
SM
MD
LG