Lidhje

Sekretarja e shtetit Rice mbi Rusinë


Shtetet e Bashkuara janë të shqetësuara rreth drejtimit të së ardhmes politike dhe ekonomike të Rusisë. Këtë shqetësim sekretarja amerikane e shtetit Condoleezza Rice ia shprehu presidentit Vladimir Putin dhe zyrtarëve të tjerë të lartë gjatë vizitës së saj në Rusi.

Sekretarja Rice tha se Shtetet e Bashkuara dhe Rusia bashkëpunojnë shumë mirë me njera tjetrën në luftën kundër terrorizmit. Ajo tha gjithashtu se marrëdhëniet miqsore të Amerikës me ish republikat sovjetike në kufi me Rusinë nuk nënkuptojnë se Shtetet e Bashkuara duan të zëvëndësojnë ndikimin e Rusisë me vendet fqinje. Në të njëjtën kohë, tha sekretarja e shtetit Rice, ekzistojnë prirje shtetësuese.

“Rusia ka përjetuar një lloj përqëndrimi të pushtetit në presidencë, në Kremlin, me të vërtetë në dëm të institucioneve balancuese, si për shembull një legjislature të fuqishme ose një sistemi të pavarur juridik, ose më e rëndësishmja një sistemi mediash me të vërtetë të pavarur. Kjo do të thotë se cilatdo qofshin synimet e presidentit Putin apo të zyrtarëve rreth tij, nuk ekziston mundësia që këto institucione të funksionojnë si një baraspeshë e pushtetit.”

Sekretarja e shtetit Rice tha se ishte e shqetësuar lidhur me shtetin juridik në Rusi. Në vitin 2004, ministria ruse e drejtësisë shiti në ankand objektin kryesor prodhues të kompanisë Yukos, pasi e akuzoi atë për shmagje të pagimit të taksave. Ndërkohë, ish shefi ekzekutiv i kësaj kompanie është burgosur nën akuzat për mos pagim të taksave dhe për manipulime. Atij do t’i shpallet dënimi nga fundi i kësaj jave dhe mund të dënohet me 10 vjet burgim.

Sekretarja e shtetit Rice tha se asgjë nuk mund të fitohet nga izolimi i një “Rusie, që është ende në një periudhë kalimtare.” “Ajo që është me rëndësi për ne, tha ajo, është që t’ua bëjmë më se të qartë rusëve se përmirësimi i marrëdhënieve amerikano-ruse varet kryesisht në vlerat e përbashkëta dhe në vazhdimin e zhvillimeve demokratike në Rusi.”

XS
SM
MD
LG