Lidhje

Freedom House për lirinë e shtypit në Shqipëri


Organizata Freedom House nxorri raportin e saj për lirinë e shtypit me titull “Liria e Shtypit 2005: Një vështrim për pavarësinë e shtypit në botë”. Raporti analizon vitin 2004 dhe rezulton se në shkallë botërore arritjet kanë qënë më të mëdha se sa prirjet negative. Për sa i përket Shqipërisë ajo është klasifikuar në grupin e vendeve me një shtyp pjesërisht të lirë dhe nga vendi i 105 që ishte vitin e kaluar ka rënë në vendin e 107.

Megjithëse liria e shtypit mbrohet me kushtetutë, thuhet në raport, mbrojta e saj ligjore nuk është e mjaftueshme dhe vetë gjyqësori është nën presionin e qeverisë. Vetë Kryeministri Fatos Nano, thotë Feedom House, i hedh gazetat në gjyq. Kështu ishte rasti i botuesit të gazetës Koha Jonë, Nikollë Lesi, i cili e kishte akuzuar kreyministrin për korrupsion.

Media në Shqipëri është aktive dhe e shumëllojshme, thotë Freedom House, por është nën presionin e qeverisë dhe partive politke, gjë që ndikon negativisht në besueshmërinë e saj. Gazetarët nuk guxojnë të trajtojnë çështje delikate sidomos të tilla që lidhen me zotin Nano dhe me Partinë Socialiste. Radioja dhe televizioni shtetëror e përqendrojnë vemendjen kryesisht tek qeveria. Sulmet fizike ndaj gazetarëve janë pakësuar por qeveria ka gjetur rrugë të reja dhe të tërthorta për manipulimin e medias.

Qeveria socialiste mban kontrollin mbi RTSH duke emëruar anëtarët e këshillit të radiotelevizionit. Në muajin gusht Partia Demokratike e opozitës ndaloi kanalin televiziv News 24 të mbulonte veprimtaritë e kësaj partie. Një numër gazetarësh u ndaluan sepse kishin filmuar fshehurazi kryeministrin.

Sipas një raporti të OSBE-së, sfida kryesore për mediat në Shqipëri janë marrëdhëniet në rritje midis politikës, biznesit dhe mediave, gjë që e dëmton pavarësinë e tyre. Për shkak të rënies së tirazhit, për të ekzistuar, mediat mbështeten te reklamat e blera nga kompanitë shtetërore ose gjysmë shtetërore.

Për t’u mbuluar pozitivisht nga mediat, qeveria u jep kontrata ose mbështet mediat duke u dhënë me qira objekte të saj me çmime të ulura. Dhe së fundi, përpjekjet e qeverisë për të luftuar evazionin fiskal janë kthyer në mjet frikësimi politik për ata që kritikojnë ose kundërtshtojnë politikat shtetërore, si në rastin kur kryeministri Nano veçoi disa botues dhe i akuzoi ata për shmangie nga taksat.

XS
SM
MD
LG