Lidhje

Ekspertët për terrorizmin në Evropë


Ekspertë të terrorizmit në Evropë i thanë një komisioni të Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhëniet Ndërkombëtare dje se Evropa ka qënë gjithmonë një pikënisje e sulmeve terroriste kundër Shteteve të Bashkuara dhe se kjo ka të ngjarë të shtohet. Ekspertët thanë se kjo vjen si pasojë e politikave tolerante të emigracionit në Evropë, rritjes së radikalizimit të segmenteve myslimane të popullësisë dhe pamundësisë së ligjeve evropiane për të dënuar grupet terroriste.

Ekspertët e terrorizmit i thanë komisionit të Dhomës së Përfaqësuesve për Marrëdhëniet Ndërkombëtare se shpërthimi në linjën hekurudhore të Madridit vitin e kaluar nuk e habiti komunitetin e inteligjencës - ata e dinin se ishte vetëm çështje kohe para se të ndodhte një sulm terrorist në Evropë. Eksperti i terrorizmit Peter Bergen thotë: “Sulmet terroriste më të rënda në dekadën e fundit kanë këtë komponent të fortë evropian, dhe siç e kemi diskutuar, me rritjen e numrit të evropianëve myslimanë, armiqësia midis evropianëve myslimanë... pritet vetëm të rritet”.

Një studim i fundit zbuloi se 80 përqind e 15 apo 20 milionë myslimanët evropianë, duke përjashtuar Turqinë ndihen të viktimizuar. Shumë myslimanë thanë se ndihen të përjashtuar nga shoqëria ku jetojnë. Eksperti Lorenzo Vidino thotë se situata po keqësohet nga fakti se shumë evropianë nuk arrijnë të kuptojnë se ekziston një problem i tillë. “Evropa përballet me një problem madhor në përpjekje për të integruar fëmijët dhe brezin e dytë të imigrantëve myslimanë të cilët kanë ardhur në këtë kontinent qysh në vitet 60. Për shumë nga ata islamizmi radikal është bërë një mjet proteste kundër problemeve të tyre si papunësia dhe diskriminimi”.

Dhe ligjet evropiane nuk dënojnë sa duhet individët që përfshihen në grupe terroriste. "Në shumicën e vendeve rekrutimi nuk konsiderohet si krim.... në se këto grupe si xhihadi në Irak nuk ndërmerr ndonjë akt kundër Francës apo Gjermanisë".

Ekspertët e terrorizmit gjithashtu i thanë komisionit se ekstremizmi islamik në Evropë po shtohet dhe ky problem duhet të adresohet.

XS
SM
MD
LG