Lidhje

Çmimet e naftës mbizotërojnë në arenën ekonomike dhe politike


Çmimet e larta të naftës dhe përpjekjet për trajtimin e këtij problemi ishin edhe këtë javë në qendër të vëmendjes, jo vetëm të tregjeve botërore, por edhe të zhvillimeve politike. Presidenti Bush u takua me princin saudit të Kurorës për të biseduar pikërisht për masa që do të detyronin qetësimin e tregjeve të naftës. Nga rajoni i Ballkanit, dy kompani kalojnë fazën e parë të tenderit të Ferronikelit në Kosovë.

Zemërimi i publikut amerikan në lidhje me çmimet e larta të benzinës mund të ketë luajtur rol në vendimin e Presidentit Bush për t’u konsultuar me princin saudit të fronit, Abdullah. Arabia Saudite - prodhuesi më i madh i naftës në botë - u angazhua të rriste kapacitetin prodhues në vitet e ardhshme, që do të ndikonte pozitivisht në uljen e çmimeve. Zoti Bush trajtoi probleme të energjisë në një fjalim dhe në një konferencë shtypi. Çmimet e naftës ranë pasi qeveria njoftoi për rritjen e ofertës së naftës në Shtetet e Bashkuara duke zbutur shqetësimet në tregje.

Çmimet e larta të karburantit në aviacion ndikuan në konkurrencën e fortë ndërmjet Kompanisë amerikane Boeing dhe Airbusit evropian. Boeing thotë se avioni i tij i tipit 787 do të jetë tepër ekonomik përsa i përket shpenzimit të karburantit dhe zyrtarë të kompanisë Air Canada thanë se ky ishte një faktor që ndikoi në porosinë prej 6,1 miliardë dollarëve për 32 avionë. Air India, nga ana e saj, ka porositur 50 avionë dhe gjysma e aeroplanëve të përfshirë në marrëveshjen prej 6,9 miliardësh janë të tipit ekonomik të Boeing-ut. Por Airbus tërhoqi gjithashtu vëmendjen me provën e supergjigandit A-380 me kapacitet deri në 800 pasagjerë.

Nga Ballkani

Një nga komponentët më me rëndësi të ekonomisë kosovare, Ferronikeli në Drenas, e kaloi fazën e parë të tenderit për privatizim. Pas hapjes së ofertave, kualifikohen dy kompani për fazën e mëtejme, ndërkohë që dy të tjera janë tërhequr. Shuma më e madhe e ofruar mësohet të jetë 27,5 milionë euro, kurse në vend të dytë radhitet një kompani që ka ofruar 22.5 milionë euro. Të dy këto kompani kanë ofruar nga 20 milionë euro investime dhe 1 000 vende pune. Sipas procedurave të përcaktuara nga Agjencia Kosovare e Mirëbesimit, kompania që do të mund të blejë Ferronikelin, përcaktohet përmes një faze tjetër, gjatë së cilës konkurrentët mund t’i ndryshojnë ofertat e tyre. Nëse bordi drejtues i Agjencisë së Mirëbesimit vlerëson se çmimi përfundimtar është i ulët, ka të drejtë ta përsërisë tenderin.

XS
SM
MD
LG