Lidhje

Lufta e Vietnamit në sytë e veteranëve


Më 30 prill 1975 përfundoi Lufta e Vietnamit, lufta e parë që kanë humbur Shtetet e Bashkuara në historinë e tyre. Sot ndonëse kanë kaluar 30 vjet nga përfundimi i luftës, ajo vazhdon të jetë ende një objekt debati në shoqërinë amerikane. Por për vetë ata që morën pjesë në luftë, gjurmët që ajo ka lënë në mendjen e tyre janë tepër të forta.

Imazhet e helikopterëve duke evakuar personelin nga ambasada amerikane në Saigon ende janë të freskëta në kujtesë. Lufta e Vietnamit, në të cilën morrën pjesë 2 milionë e 500 mijë amerikanë dhe 58 mijë humbën jetën, e ndau vendin dhe përfundoi me dështim. Ndarja mes atyre që e kundërshtonin dhe mbështesnin luftën është bërë pjesë e pandarë e politikës amerikane. Mësimet ushtarake, si përdorimi i forcës mbizotëruese për të siguruar fitoren, ende debatohen edhe sot. Por ndikimi më i madh dhe më jetëgjatë është ai që kanë përjetuar ushtarët amerikanë që morrën pjesë në luftë.

Lufta e Vietnamit ndryshoi një herë e mirë edhe jetën e kolegut tonë në Zërin e Amerikës, Geri Thomas. Në vitin 1970, si një 19 vjeçar, Geri shërbente si oficer zbulimi dhe si shumë të tjerë në atë kohë, u kthye në shtëpi i pushtuar nga ndjenjat e zhgënjimit dhe zemërimit. Ai vendosi të bëhet gazetar: “Kur u ktheva vendosa të bëjë diçka për të edukuar njerëzit për ngjarje të tilla. Vendimi për të hyrë në luftë, është vendimi më i vështirë për çdo qeveri, dhe së paku ai duhet bërë përmes një diskutimi inteligjent, të bazuar në njohuri dhe informacion”.

Mbulimi i ngjarjeve e çoi Gerin përsëri në Vietnam 5 vjet më parë dhe e ndihmoi t’i shikonte ish armiqë në një dritë të re. “Shkova në vitin 2000 me rastin e 25 vjetorit të rënies së Saigonit ose të çlirimit, siç e quajnë vietnamezët. Ishte një përvojë emocionale por edhe interesante.” “Kjo më ndihmoi të çlirohesha nga fantazmat. Veteranët e kanë përjetuar në forma të ndryshme. Disa nuk janë çliruar kurrë nga ajo luftë, disa e kanë lënë pas. Por shumica, besoj, kemi gjetur një rrugë të mesme. Unë e kujtoj, është pjesë e jetës time, por, nuk po më dominon.”

“U ktheva nga Vietnami me një ndjenjë të thellë zemërimi. Shokët ishin përfshirë në protesta. Madje disa vajza as më afroheshin.” Jan Scruggs nuk është shkëputur dot nga kujtimet e luftës që kur u plagos në vitin 1969.

Më pas ai i kanalizoi energjitë për të grumbulluar mbi 8 milionë dollarë për ngritjen e Monumentit të Luftës së Vietnamit. “Është një përvojë emocionale të kujdesesh për të rënët”. Ai është kthyer përsëri në Vietnam. Sot ai punon me një projekt për pastrimin e rreth 350 mijë bombave e minave të pashpërthyera, që shkaktojnë 1 mijë viktima në vit. “Është përgjegjësia jonë si qënie njerëzore që ndihmojmë këdo mundemi. Ky është roli im i vogël në jetë.” Rick Weidman dhe veteranë të tjerë, shpesh vizitojnë ushtarët e plagosur në Afganistan e Irak.

Është një mënyrë për të nderuar dhe për të mos lënë në harresë sakrificat e sotme të ushtarëve. “Si amerikan dhe veteran lufte i një epoke të mëparshme kujdesem për ta. Ata kanë nevojë për gjithë mbështetjen tonë emocionale që të jenë në gjendje të rikthehen përsëri në shoqëri, për të cilën kanë paguar një çmim kaq të lartë.” Ndërsa lufta në Vietnam e ka lënë vendin të përçarë, këta veteranë janë angazhuar me gjithë forcat e tyre për shëruar plagët e së kaluarës dhe për të treguar angazhimin e vendit për brezin e ri të ushtarëve amerikanë.

XS
SM
MD
LG