Lidhje

Një ekspozitë e re përpiqet të vendosë dialog mes shkencës dhe artit


Bota e artit dhe e shkencës janë bashkuar në një muze të Los Angelesit që i ka futur në dialog me njëri-tjetrin njerëzit nga të dyja fushat. Një ekspozitë të re, e quajtur “bisedime”, ka për qëllim të zgjerojë rolin e muzeumeve tradicionale të shkencës.

Muzeu i Historisë Natyrore në Los Angelesit është një nga koleksionuesit kryesorë të fosileve dhe specieve natyrore. Që kur u themelua para 92 vjetësh, ky muze ka ndihmuar për të shpjeguar botën tonë, që nga dinosaurët prehistorikë tek speciet moderne si elefanti afrikan.

Për një ekspozitë të kohëve të fundit, muzeu u kërkoi artistëve të krijojnë vepra të frymëzuara nga objekte natyrore dhe kulturore të koleksioneve të tyre. Vanda Vitali është nënpresidente e ekspozitave dhe programeve publike. “Kështu ne filluam këto dialogje duke ftuar përfaqësues të arteve vizive që të vijnë në Los Angelos, të studiojnë koleksionet tona, të krijojnë idetë e veta dhe duke bërë kështu ta rrisin kënaqësinë dhe kuptimin e koleksioneve tona,” thotë zonja Vitali.

Gjashtë artistë, mes të cilëve Lita Albakërki studiuan speciet e muzeut për t’u frymëzuar. “Më intrigoi ideja për të shkuar në magazinën e koleksioneve të tyre dhe për t’i hedhur një sy objekteve të muzeut dhe kur gjeta diçka fare të ndryshme nga gjithçka që kisha parë deri atëherë, u magjepsa. Dhe kur hyra, m’u duk vetja si një fëmijë në një dyqan karamelesh. Ishte shumë emocionuese. Kishte aq shumë specie dhe gjëra të ndryshme. Dhe pastaj vendosa se çfarë të bëja,” thotë artistja.

Objekti i saj artistik përbëhet nga një skulpturë që e ka marrë frymëzimin nga një yll deti i vogël dhe një molusk i lashtë, i quajtur brakiopod. “Kishte qindra e qindra objekte të bukura që dukeshin si skulptura egjiptiane,” thotë zonja Albakërki.

Departamenti i malakologjisë që studion molusqet, ka një nga koleksionet më të mira në këtë fushë. Angel Valdes, është zëvendës përgjegjës i muzeut. “Ne kemi 4 milionë specie në koleksionin tonë dhe koleksioni ynë është një nga 10 më të pasurit në botë. Këtu kemi guaskat e fundit të detit që janë mbledhur në Atlantikun e Veriut. Dhe disa prej tyre mund të jenë edhe specie të reja,” thotë zoti Valdes. Angel Valdes shton se ekspozita “Bisedime” tregon se shkencëtarët dhe artistët kanë diçka të përbashkët. “Të dyja palët jemi të frymëzuar nga bukuria e këtyre kafshëve. Ne i shikojmë gjërat ndryshe, por ato na tërheqin ndoshta përmes të njëjtit proces mendimi”.

Një ekspozitë e ardhshme do t’u hedhë një vështrim kërcënimeve ekologjike që çojnë disa herë në shkatërrimin e shoqërive. Vanda Vitali thotë se ashtu si ekspozita “Bisedime”, ajo synon të ngjallë një shkëmbim idesh mbi mjedisin, kulturën njerëzore dhe çështje të tjera.

“Ekspozita ‘Bisedimet’ e thellon natyrën e debatit. Ne si muze do të donim të ishim në qendër të debatit publik për çështje të ndryshme. Ne jemi një forum për shkëmbimin e ideve, të dijes. Ne jemi një vend që fton dhe i jep gjithkujt, komunitetit një mundësi për të folur për atë që është e rëndësishme për ta,” thotë zonja Vitali.

XS
SM
MD
LG