Lidhje

1 Maji shënohet në shumë vende të botës me marshime, tubime dhe veprimtari të ndryshme festive


Të djelën, në shumë vende të botës u shënua Dita Ndërkombëtare e Punëtorëve me marshime, tubime, por edhe me veprimtari të ndryshme festive.

Në Kinë kjo ditë shoqërohet me një javë pushim, kur njerëzit bëjnë turne të ndryshme në pika turistike.

Ndërsa në Korenë e Jugut, punëtorët organizuan tubime masive në Seul me pjesëmarrjen e 12 mijë vetëve, të cilët kërkonin përmirësimin e kushteve të punës. Pjesëmarrësit në tubim bllokuan një bulevard me 8 korsi duke hedhur parulla kundër globalizimit.

Ndërkaq në Rusi, sindikatat e punëtorëve dhe veprimtarë të opozitës politike organizuan tubime, ku kërkonin përmirësimin e ndihmave sociale, si dhe protestonin ndaj shkurtimeve në programet sociale. Të paktën 10 mijë vetë të udhëhequr nga Partia Komuniste dhe organizata të tjera opozitare morën pjesë në marshime në bulevardet kryesore të Moskës.

Shoqatat e punëtoreve organizuan veprimtari edhe në Evropë.

Në Gjermani, autoritetet ishin përgatitur këtë radhë për të mos lejuar incidente me dhunë dhe sipas shifrave zyrtare, në Berlin u arrestuan 30 vetë.

Ndërkaq, në Francë udhëheqësi i ekstremit të djathtë, Jean Marie Le Pen, u bëri thirje francezëve të kundërshtojnë kushtetutën e Bashkimit Evropian. Përkrahësit e zotit Lë Pen ishin mbledhur për të theksuar mesazhin e tyre nacionalist kundër imigracionit, ku kundërshtuan edhe përpjekjet e Turqisë për antarësim në BE. //az//

XS
SM
MD
LG