Lidhje

Turizmi në hapësirë në të ardhmen e afërt


Reklamuesit e turizmit në hapësirë thonë se fluturimet private do të bëhen të mundshme për publikun aty nga fundi i kësaj dekade. Në Pasadena të Kalifornisë po hartohen planet për një flotë të turizmit në hapësirë dhe investuesit parashikojnë një industri të lulëzuar brenda pak vitesh.

Burt Rutan, pionier i udhëtimeve në hapësirë fitoi një çmim prej dhjetë milionë dollarësh vitin e kaluar pasi dërgoi njeriun e parë në hapësirë me një anije të vogël të quajtur SpaceshipOne. Pasi ishin të parët në eksplorimin tregtar të hapësirës, ekipi i zotit Rutan nxori disa prej më shumë se 20 milionë dollarë që sipërmarrësi i teknologjisë së lartë, Paul Allen, kishte shpenzuar për atë projekt. Zoti Rutan arriti shumë shpejtë një marrëveshje me pasanikun britanik.

Richard Branson, pronar i kompanisë Virgin Galactic, e cila tanimë ka pranuar mijëra rezervime për udhëtim në hapësirë me një flotë prej pesë anijesh që do të ndërtojë zoti Rutan. Të tjerë u takuan kohët e fundit në Pasadena për të diskutuar rreth perspektivave të kësaj industrie të brishtë. John Spencer i Shoqatës Turizmi në Hapësirë ka reklamuar udhëtime në hapësirë që nga vitet 80-të. “Në atë kohë, njerëzit talleshin me idenë e turizmit në hapësirë, por tani gjithçka ka ndryshuar,” thotë zoti Spencer.

Deri tani janë bërë dy udhëtime turistike në hapsirë. Denis Tito, biznesmen nga Kalifornia, qendroi 6 ditë në bordin e stacionit ndërkombëtar të hapsinës në vitin 2001. Për këtë privilegj ai pagoi 20 milionë dollarë. Milioneri afrikanojugor, Mark Shuttleworth, u bë turisti i dytë në hapsirë një vit më vonë. Udhëtimi i tyre turistik në hapësirë u bë i mundshëm me ndihmën ruse. Matt Everingham i Autoritetit Hapsinor të Kalifornisë, një kompani private, thotë se përpjekjet private, si edhe misionet e agjencisë amerikane të hapësirës kanë zgjuar interesin e publikut. “Dërgimi i dy sondave në Mars zgjoi një entuziazëm të ri dhe mendoj se misioni i anijes SpaceshipOne e çoi atë në një nivel të ri. Tani presim të shohim se cili do të jetë hapi i ardhshëm,” thotë zoti Everingham.

Hapësira ka tërhequr interesin e njerëzve të pasur si Paul Allen dhe Richard Branson, dhe bankieri John Stone thotë se edhe të tjerë shohin një mundësi përfitimi. Kompania e zotit Stone investon në industrinë e hapësirës dhe atë satelitore. “Padyshim, synimi ynë është të nxjerrim fitime. Ne mendojmë se industria hapsinore do të jetë më e suksesshme kur njerëzit të fillojnë të kenë përfitime materiale pasi kjo u jep njerëzve një motiv të fuqishëm,” shprehet zoti Stone.

John Spencer i Shoqatës Turizmi në Hapësirë thotë se teknologjia e udhëtimit në hapsirë është duke u zhvilluar dhe problemet me “Me kalimin e kohës do të bëhet realitet. Fakti më interesant është që tani çdokush mund të angazhohet për të ndihmuar në krijimin e kësaj industrie duke shkuar në konferenca dhe ngjarje të tjera. Dhe kjo është një industri e rëndësishme sepse në aspektin afatgjatë, kjo infrastrukturë do të na mundësojë të bëjmë hulumtime më të mëdha dhe me kohëzgjatje më të madhe dhe përfundimisht të na mundësojë kolonizimin e sistemit të brendshëm diellor,” thotë John Spencer.

Richard Bransoni i kompanisë Virgjin Galaktik ka në plan të dërgojë udhëtarë në anije kozmike tregatre duke filluar nga viti 2008. Udhëtimet do të jenë të shtrenjta. Biletat do të kushtojnë rreth 200 mijë dollarë, por reklamuesit e udhëtimeve në hapësirë thonë se çmimet do të bien shumë shpejtë. Ata parashikojnë ndërtimin e vendpushimeve hapsinore në hënë e ndoshta edhe planete të tjera me pamje të mahnitshme të Tokës.

XS
SM
MD
LG