Lidhje

Ish-kryeministri Haradinaj bën thirrje për mbështetje të proceseve politike në Kosovë


Ish kryeministri i Kosovës Ramush Haradinaj, i cili aktualisht ndodhet në Gjykatën e Hagës për t’u përballur me akuza për krime lufte, ka bërë thirrje sot për mbështetje të institucioneve ndërkombëtarë e vendase dhe tejkalimin e ndasive politike në funksion të shtyrjes përpara të proceseve politike në Kosovë. Komentet e tij u transmetuan nëpërmjet telefonit në një ceremoni me rastin e pesë vjetorit të themelimit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, të cilën ai vazhdon ta drejtojë edhe pas shkuarjes në Hagë.

Aleanca është partia e tretë në Kosovë, e cila që nga tre dhjetori i vitit të kaluar drejton qeverinë e saj në koalicion me Lidhjen Demokratike të Kosovës. Në një manifestim me rastin e pesë vjetorit të kësaj partie në të cilin morën pjesë edhe përfaqësues të lartë politikë ndërkombëtarë dhe vendas, ish kryeministri Haradinaj u tha pjesëmarrësve nëpërmjet telefonit se institucionet e Kosovës janë duke bërë punë të rëndësishme në rrethana jo të lehta dhe në momente historike për Kosovën. Prandaj ai bëri thirrje për mbështetje të institucioneve vendase dhe bashkëpunim më ato ndërkombëtare për të shtyrë përpara proceset politike. “Është krejtësisht e natyrshme që secili prej nesh do të mendonte ndryshe, apo do të kërkonte që të ishte shumë më mire. Por mënyra e vetme për të bërë më mirë në Kosovë dhe për të arritur qëllimet është mbështetja e proceseve, mbështetja e institucioneve parezervë, lënia mënjanë e dallimeve dhe kësisoji gjithnjë duke qenë të vetëdijshëm se janë momente jetike për Kosovën”, tha ai.

Ish kryeministri Ramush Haradinaj drejtoi për 100 ditë qeverinë e Kosovës, ndërsa më tetë mars të këtij viti dha dorëheqje për të udhëtuar një ditë më vonë për në Hagë, ku Gjykata e atjeshme ndërkombëtare ngriti një akuzë kundër tij për krime lufte në Kosovë.

Ai është deklaruar i pafajshëm për të gjitha akuzat që i vihen në barrë e të cilat ndërlidhen me veprimtarinë e tij gjatë luftës në Kosovë si një nga komandantët më të njohur të ish Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës . Postin e kryeministrit e ka marrë tani nënkryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Bajram Kosumi, i cili sot tha se qeveria e tij ka trashëguar të arritura të mëdha nga koha e zotit Haradinaj. Ai theksoi se përparësi e kabinetit të tij janë zgjidhja e statusit politik dhe zhvillimi ekonomik i Kosovës.

XS
SM
MD
LG