Lidhje

Kryeministri Blair bën fushatë për t’i nxjerrë votuesit nga apatia


Në Britani, anketat e opinionit lenë të kuptohet se kryeministri Tony Blair do të fitojë mandatin e tretë radhazi në zgjedhjet e së enjtes. Kryeministri Blair po bën fushatë intensive megjithë apatinë e votuesve, ndërkohë që hija e Irakut vazhdon të errësojë zgjedhjet. Korrespondenti Michael Drudge na sjell më shumë hollësi nga Londra.

Rezultatet e anketave janë të ndryshme për zotin Blair, i cili po përpiqet të bëhet kryeministri i parë i Partisë Laburiste, që fiton 3 zgjedhje me radhë.

Anketat flasin për një fitore të kryeministrit Blair. Shumica e votuesve të mundshëm të anketuar thonë se preferojnë fitoren e Partisë Laburiste përkundrejt partisë konservatore - më e madhja e opozitës dhe Liberal-Demokratëve të qendrës së majtë.

Por anketa e gazetës Financial Times arrin gjithashtu në përfundimin se mbi një e treta e britanikëve që ka të ngjarë të votojnë thonë se mund të ndryshojnë mendim se për kë do të votojnë, tani që ka mbetur vetëm një ditë para mbylljes së fushatës.

Në parlamentin e tanishëm, Partia Laburiste ka një shumicë prej 161 vendesh, por disa anketa të opinionit lenë të kuptohet se ky numër mund të përgjysmohet në ditën e zgjedhjeve. Edhe një rezultat i tillë do t’i siguronte zotit Blair një fitore me rezultat bindës.

Megjithatë, kryeministri Blair po bën një fushatë intensive ditët e fundit, duke paralajmëruar përkrahësit e Partisë Laburiste që të mos bëhen pre e vetëkënaqësisë dhe e apatisë.

Madje vendimi më kontradiktor i zotit Blair, për të dërguar trupa në Irak, vazhdon të mbizotërojë vemendjen në fushatë.

Një shembull i fundit se si mund të ndryshojnë opinionet: e veja e një ushtari britanik, i cili u vra dje në Irak, foli kundër kryeministrit Blair. Në një sërë intervistash në rrjetet televizive britanike, zonja Ann Toward tha se do të dëshironte t’i thoshte zotit Blair se ai mori një vendim të gabuar kur dërgoi trupat britanike në operacionet luftarake në Irak të udhëhequra nga Shtetet e Bashkuara.

"Do t’i thosha zotit Blair se nuk duhet t’i kishe dërguar trupat në Irak. Nuk duhet ta kishe bërë kurrë një gjë të tillë. Po të mos ishte ky vendim i juaji, sot fëmijët e mi do ta kishin ende babanë e tyre."

Kryeministri Blair i ka shprehur familjes ngushëllimet e tij të thella, ndërkohë që ka vlerësuar rolin e ushtrisë britanike në Irak.

"Ushtarët britanikë kanë bërë një punë të mrekullueshme në Irak, duke e ndihmuar atë vend të bëhet një demokraci e qëndrueshme. Unë e kuptoj fare mirë dhimbjen dhe fatkeqësinë e njerzve, që kanë humbur të afërmit, ushtarët që kanë humbur jetën duke bërë detyrën në emër të vendit të tyre."

Megjithë vemendjen e madhe që është përqëndruar në Irak gjatë fushatës, organizatorët e anketave thonë se lufta në Irak nuk është një shqetësim i madh për shumicën e votuesve. Ajo është gati në fund të përparësive të votuesve britanikë dhe shumë prapa çështjeve të tilla si kujdesi shëndetësor dhe arsimi.

XS
SM
MD
LG