Lidhje

Udhëtimi i presidentit Bush në Evropë - Çfarë presin aleatët euroaziatikë?


Presidenti Bush shkon këtë javë në Evropë për të marrë pjesë në ceremonitë me rastin e 60 vjetorit të mundjes së Gjermanisë naziste në Luftën e Dytë Botërore. Gjatë këtij udhëtimi presidenti do të kujtojë jo vetëm triumfin mbi fuqitë e Boshtit fashist, por edhe përfundimin e Luftës së Ftohtë:

Udhëtimi i presidentit Bush këtë javë do të ndërthurë simbolika historike dhe ideologjike. Në Moskë, presidenti së bashku me udhëheqës të tjerë do të përkujtojnë përfundimin e Luftës së Dytë Botërore në Evropë. Por po aq të rëndësishme do të jenë vizitat e zotit Bush në republika ish-sovjetike, ku nuk ka një entuziazëm shumë të madh për festimet dhe ku mundja e Gjermanisë naziste u kujton banorëve fillimin e pushtimit sovjetik. Presidenti rus Vladimir Putin ka shprehur kundërshtim ndaj vizitave që presidenti Bush ka planifikuar të zhvillojë në Letoni dhe Gjeorgji. Por James Goldgeier i Këshillit për Marrëdhëniet me Jashtë thotë se Shtetet e Bashkuara nuk shqetësohen thjesht për reagimin e zotit Putin:

"Jam i bindur se ai nuk i sheh me sy të mirë këto vizita, por është shumë e rëndësishme që presidenti amerikan po shkon në Rusi, veçanërisht në një kohë kur Moska ka bërë hapa prapa. Është shumë e rëndësishme të mbështesim këto pjesë të ish-Bashkimit Sovjetik ku vendet kanë bërë hapa të rëndësishëm për t’u integruar në perëndim," thotë analisti.

Zoti Goldgeier tha se ky udhëtim i presidentit për në Letoni do të përqendrohet tek roli i ri i shteteve balltike si pjesëtare të Bashkimit Evropian dhe Natos. Në përfundim të udhëtimit të tij, presidenti Bush do të shkojë në Tbilisi të Gjeorgjisë. Radek Sikorsi, ish-zëvendës-ministër i jashtëm i Polonisë dhe tani analist në Institutin Enterprise në Washington, mendon se takimi i presidentit Bush me presidentin e Gjeorgjisë Mikhail Sakashvili do t’i dërgojë një mesazh të qartë Kremlinit.

"Me këtë vizitë në Gjeorgji, presidenti Bush thekson mbështetjen e Amerikës për revolucionet demokratike në ish-Bashkimin Sovjetik," thotë zoti Sikorski.

Rusia ende ka mijëra trupa në Gjeorgji për të mbështetur luftën në Çeçeni. James "Gjeorgjia, thotë analisti Xhejms Goldgaier, ka nevojë për një sinjal të fortë mbështetje nga Shtetet e Bashkuara, nga perëndimi, se Uashingtoni do të mbështesë Gjeorgjinë në rrugën e saj të reformave."

Megjithë ndalesat në Riga dhe Tbilisi, vëmendja në këtë udhëtim do të përqëndrohet tek Rusia, ku presidenti Bush do të përkujtojë jo vetëm mundjen e Gjermanisë naziste 60 vjet më parë, por do të takohet edhe me presidentin Putin për të dytën herë këtë vit. Zoti Goldgeier thotë se marrëdhëniet e ngrohta ndërmjet dy udhëheqësve kanë pësuar një ftohje të ndjeshme në muajt e fundit. "Marrëdhëniet mes tyre janë disi më të tensionuara, por ata megjithatë kanë lidhje të mira me njëri-tjetrin. Është shumë e rëndësishme që Shtetet e Bashkuara dhe Rusia të ruajnë marrëdhënie të mira, ndërkohë që përpiqen të zgjidhin disa mospërputhje," thotë analisti Goldgeier.

Analistët në Moskë dhe Washington thonë se presidenti Bush ndeshet me një detyrë të vështirë për të gjetur një ekuilibër duke nxitur nga njëra anë presidentin Putin drejt demokracisë dhe duke kërkuar nga ana tjetër mbështetjen e tij për luftën kundër terrorizmit. Nga ana e tij presidenti Putin pritet të shprehë shqetësim lidhur me ndikimin në rritje që ka Uashingtoni në republikat ish-sovjetike, përfshirë edhe Gjeorgjinë dhe Ukrainën. Zoti Sikorski mendon se është në interesin e Rusisë të mbështesë demokracitë me të cilat kufizohet. "Mendoj se Rusia mund të përfitojë më shumë nga bashkëpunimi me fqinjët se sa duke mbajtur qëndrim kërcënues ndaj vendeve përreth," thotë analisti i Institutit Enterprise.

Administrata e presidentit Bush ka siguruar disa herë udhëheqësin rus se, pavarësisht nga forcimi i marrëdhënieve të Uashingtonit me republikat ish-sovjetike, nuk po përpiqet të kufizojë ndikimin e Kremlinit në rajon.

XS
SM
MD
LG