Lidhje

Presidenti Bush përshëndet kapjen e një anëtari të lartë të al-Qaidës


Presidenti Bush tha se arrestimi në Pakistan i Abu Farraj al-Libbit, që dyshohet si një ndër anëtarët e lartë të al-Qaidës, përbën një fitore me rëndësi kritike në luftën kundër terrorizmit.

Personi në fjalë, për të cilin ishte vënë një shpërblim prej 1 milion dollarësh, besohet se është udhëheqësi numër tre në rrjetin terrorist të al-Qaidës dhe bashkëpunëtor i afërt i Osama bin Ladenit.

Presidenti Bush tha se arrestimi heq një kërcënim të madh për Shtetet e Bashkuara dhe për ata që e duan lirinë.

Presidenti Bush tha se Al-Libbi ishte një gjeneral i rangut të lartë i udhëheqësit të Al-Qaidës, Osama bin Laden si dhe një planifikuesit kryesorë të këtij rrjeti terrorist.

"Arrestimi i tij heq nga skena një armik të rrezikshëm i cili ishte kërcënim i drejtpërdrejtë për Amerikën dhe për ata që e duan lirinë. Unë e përshëndes qeverinë pakistaneze për bashkëpunimin e saj të fuqishëm në luftën kundër terrorit", tha presidenti.

Presidenti Bush lavdëroi presidentin pakistanez Pervez Musharraf dhe forcat pakistaneze të sigurimit që vepruan në bazë të informacioneve të besueshme për ta sjellë al-Libbin para drejtësisë.

Pakistani thotë se e arrestoi shtetasin libian në fillim të kësaj jave. Ai kërkohet në lidhje me përpjekjet për të vrarë presidentin Musharraf në dhjetor 2003.

Presidenti Bush u tha sot udhëheqësve latinoamerikanë se lufta vazhdon dhe se Amerika do të qendrojë në ofensivë derisa të mposhtet al-Qaida.

XS
SM
MD
LG