Lidhje

Një zyrtar i Freedom House thotë se presioni i autoriteteve kufizon lirinë e shtypit në Shqipëri


Një zyrtar i organizatës Freedom House thotë se paditë e autoriteteve ndaj përfaqësuesve të medias në Shqipëri, kufizojnë lirinë e shtypit. Christopher Walker, Drejtor Studimesh në organizatën që sapo ka nxjerrë raportin për gjendjen e shypit në botë, tha në një intervistë për Zërin e Amerikës se si brenda vendit, ashtu edhe nga organizatat e huaja duhet bërë presion që të mbrohet integriteti i gazetarëve, nga përzierja e interesave të medias me politikën dhe biznesin. Kolegia Keida Kostreci bisedoi me zotin Walker:

Zëri i Amerikës: Zoti Walker, në raportin e fundit të organizatës suaj Freedom House për lirinë e shtypit në botë, Shqipëria përmendej si një nga vendet me shtyp pjesërisht të lirë. Gjithashtu aty përmendej edhe trysnia ndaj shtypit, sidomos nga ana e qeverisë. Çfarë përcaktoni ju me një shtyp pjesërisht të lirë dhe çfarë e bën Shqipërinë të jetë pjesë e këtij grupi?

Christopher Walker: Pjesërisht e lirë do të thotë që Shqipëria ka disa nga tiparet e një shtypi të lirë, por jo të gjitha. Domethënë është diku nga mesi. Në përgjithësi në Ballkan, shumica e vendeve hyjnë në këtë kategori. Ne kemi vënë re se ka patur përmirësime në disa drejtime, ka një larmi pikëpamjesh në Shqipëri, por ende ka presione, si nga faktorë jo-shtetërorë, ashtu edhe shtetërore. Kjo do të thotë që ka presione ekonomike, në disa drejtime, ka presione ligjore me të cilat ende përballen gazetarët e pavarur sot që duhet të ndiqen me kujdes.

Zëri i Amerikës: Le të flasim fillimisht për çështjet gjyqësore nga ana e kryeministrit dhe nga zyrtarët e lartë në përgjithësi. Sa shqetësuese janë ato sipas mendimit tuaj?

Christopher Walker: Kjo është një çështje shumë serioze. Padia ndaj Nikollë Lesit vitin e kaluar, e tronditi sistemin e gazetarisë në Shqipëri dhe mendoj se nuk ishte thjesht një rast i një gazetari që çohet në gjyq pasi ka kryer një shkelje dhe mesa di unë ka patur spekullime lidhur me motivet në këtë rast. Por shqetësimi më i madh është sinjali që u çohet gazetarëve të tjerë: a munden ata të pasqyrojnë ngjarje në mënyrë të pavarur dhe të hapur për çështje delikate? Mendoj sinqerisht që kjo është një nga ato gjëra për të cilat ka nevojë një shoqëri si ajo e Shqipërisë: një diskutim i hapur për disa nga sfidat e vështira politike dhe shoqërore me të cilat ky vend po përballet dhe mendoj se ky lloj diskutimi i pavarur që media mund ta bëjë më të lehtë, mund ta humbë peshën nëse ekziston rreziku, apo edhe ndiqen padi të tilla.

Mendoj se problemi këtu është sesa me lehtësi ngrihen padi të tilla dhe besoj se në rastin e Shqipërisë zyrtarët e bëjnë një gjë të tillë shpesh. Në thelb një gjë e tillë i vendos gazetarët nën një presion të jashtëzakonshëm për të vendosur se për çfarë duhet të njoftojnë e për çfarë jo. Po ashtu duhet të ketë një ndjenjë përgjegjësie. Nuk duhet të jenë autoritetet që të merren me gjëra të tilla. Në këto raste, nga ato që kemi parë kur autoritetet merren me faktin se cili organ shtypi mund të shkruajë dhe cili jo për një temë të caktuar, në fund të fundit ata përdorin autoritetin e tyre kur i japin të drejta të pakufishme vetes, që në fakt kufizojnë lirinë e shtypit. Dhe në këto raste Freedom House dëshiron që të ketë sa më shumë transparencë dhe mundësi që gazetarët të ushtrojnë përgjegjësitë e tyre profesionale.

Zëri i Amerikës: Në raportin e organizatës suaj përmenden edhe lidhjet e biznesit me median, gjithashtu edhe lidhjet e politikës me mediat dhe shqetësimet që vijnë nga kjo. Për këtë arsye vetë përfaqësuesit e medias në Shqipëri kanë thënë se ushtrohet një farë autocensure. Sa e vështirë mendoni ju se është për gazetarët të punojnë në këto kushte dhe të ruajnë integritetin e tyre?

Christopher Walker: Mendoj se ato që shohim në Shqipëri, janë tiparet e një shoqërie në tranzicion dhe në një farë niveli, paaftësia për të patur organe mediash plotësisht transparente, është diçka që hasim jo vetëm në Shqipëri, por një sfidë me të cilën përballen të gjitha vendet që kanë dalë nga periudha shumë të vështira.

Megjithatë ne duam që gazetarët të jenë në gjendje të ushtrojnë profesionin e tyre pa presion qoftë nga faktorët shtetërorë, ose joshtetërorë.

Raporti i këtij viti arrin në përfundimin se përzierja e interesave të medias, politikës dhe biznesit, duket se ka filluar të pengojë funksionimin e medias së pavarur. Mendoj se një pjesë e zgjidhjes do të ishte që si gazetarët dhe organizatat e gazetarëve në vend, ashtu edhe organizata dhe qeveri të huaja që janë të interesuara për lirinë e shtypit, të nxisin mbrojtjen e të drejtave të gazetarëve në Shqipëri.

Zëri i Amerikës: Le ta vendosim pak situatën e mediave në kontekstin e zhvillimeve politike në vend. Në Shqipëri do të mbahen këtë vit zgjedhjet e përgjithshme të cilat pritet nga komuniteti ndërkombëtar të zbatojnë standardet ndërkombëtare, pra të jenë të lira dhe të ndershme. Kur mund të pritet nga organizata si e juaja që media në Shqipëri ta kalojë periudhën e tranzicionit dhe të plotësojë standardet ndërkombëtare?

Christopher Walker: Do të thoja që roli i medias bëhet edhe më jetik në periudha zgjedhjesh, kur qytetarët kanë nevojë për informacionin dhe pikëpamjet që mund t’i ndihmojnë të mendojnë seriozisht për të vendosur se për kë do të votojnë.

Ne do të shpresonim dhe kjo është e vlefshme jo vetëm për Shqipërinë, që autoritetet ta kuptojnë që suksesi i shoqërisë në përgjithësi mund të arrihet me një diskutim të hapur të çështjeve. Ky është vërtet një rast i mirë për të parë nëse faktorët e shoqërisë shqiptare, para së gjithash autoritetet, do t’i plotësojnë detyrimet e tyre dhe të respektojnë jo vetëm kuadrin ligjor, por edhe frymën e ligjeve. Nëse qytetarët shkojnë në kutitë e votimit të mirëinformuar, kjo mes të tjerash do ta ndihmonte Shqipërinë të arrinte disa nga synimet e saj më të rëndësishme, si përsa i takon rritjes së mirëqenies dhe stabilitetit në vend, ashtu edhe afrimit me standardet evropiane dhe ndërkombëtare.

XS
SM
MD
LG