Lidhje

Presidenti Bush niset  sot për një turne tre ditor në Evropë


Presidenti Bush niset sot për në Evropë ku do të marrë pjesë në ceremonitë me rastin e mbarimit të Luftës së Dytë Botërore në Evropë. Po japim tani hollësitë që na dërgoi korrespondentik ynë pranë Shtëpisë së Bardhë, Scott Stearns.

Këshilltari amerikan i Sigurimit Kombëtar, Steve Hadley tha se presidenti do të shprehë nderimin e tij për sakrificat e së kaluarës si dhe do të bëjë të qarta sfidat për të ardhmen. "Qëllimi i turneut është në fakt i dyfishtë: të nderohen sakrificat e përbashkëta të miliona amerikanëve, evropianëve dhe të tjerëve për mposhtjen e tiranisë dhe në të njëjtën kohë të vihet në dukje rritja e demokracisë kudo në Evropë dhe në botë në përgjithësi," thotë zoti Hadley.

Zoti Bush do të vizitojë katër vende në pesë ditë, duke filluar me Letoninë ku do të ketë një drekë pune me kryetarët e shteteve të Letonisë, Lituanisë dhe Estonisë. Zoti Hadley tha se Presidenti Bush do të nënvizojë se aleanca e fuqishme me shtetet baltike është ndërtuar mbi angazhimin e përbashkët ndaj vlerave të demokracisë, sundimit të ligjit dhe tolerancës. Ai tha se të tre këta vende po demonstrojnë vlerën e tyre si aleatë duke punuar me Shtetet e Bashkuara për të çuar përpara lirinë në Bjellorusi, Irak dhe Afganistan.

Pas Letonisë, Presidenti Bush do të shkojë në Holandë, ku do të marrë pjesë në ceremonitë me rastin e 60-vjetorit të fitores mbi nazizmin. Ai do të takohet me veteranë dhe do të flasë në varrezën amerikane në Holandë, ku janë varrosur më shumë se 8 mijë amerikanë.

Presidenti Bush do të jetë midis më tepër se 50 kryetarëve të shteteve që do të marrin pjesë të hënën në një paradë në Sheshin e Kuq të Moskës në përkujtim të përvjetorit të mbarimit të Luftës së Dytë Botërore në Evropë. Kjo është një ceremoni ku udhëheqësit e Estonisë dhe Lituanisë kanë refuzuar të marrin pjesë për shkak se fundi i luftës shënoi njëkohësisht fillimin e sundimit 50 vjeçar sovjetik në republikat baltike.

Në një letër drejtuar presidentit leton, Presidenti Bush e quajti pushtim praninë e atëhershme sovjetike, por zyrtarët rusë thonë se trupat sovjetike i çliruan këto vende nga nazizmi dhe nuk ishin një forcë pushtuese. Kjo është njëra prej disa mosmarrëveshjeve midis Uashingtonit dhe Moskës që pritet të dalin në pah gjatë këtij turneu. Mosmarrëveshje të tjera janë ato që lidhen me shitjen e armëve ruse Sirisë apo materialeve bërthamore Iranit. Në takimin e tij me presidentin rus Vladimir Putin, zoti Hadley tha se presidenti Bush do të vazhdojë të theksojë shqetësimet amerikane për demokracinë në Rusi Megjithatë, zoti Hadley hodhi poshtë pohimet se Presidenti Bush do të veçojë udhëheqësin rus në komentet e tij, duke thënë se ky është një mesazh për një audiencë më të gjerë.

"Presidenti do të parashtrojë gjithashtu një koncept më të gjerë për lirinë dhe demokracinë, duke vënë në dukje se fjala është më tepër se sa thjesht për zgjedhje dhe se këtu përfshihet edhe angazhimi për të ndërtuar një shoqëri të hapur, e cila përqafon pakicat dhe siguron mbrojtje për këto pakica si dhe për të drejtat individuale përmes sundimit të ligjit dhe institucioneve të forta dhe të pavarura," thotë zoti Hadley.

Pas Rusisë, Presidenti Bush do të vizitojë republikën ish sovjetike të Gjeorgjisë, ku pritet të flasë para më shumë se 100 mijë njerëzve në Sheshin Liria të Tbilisit.

XS
SM
MD
LG