Lidhje

Shqipëri: Presidenti Moisiu kërkon ndëshkime për zyrtarët e lartë të përfshirë në korrupsion


Në Shqipëri, presidenti Alfred Moisiu kërkoi nga Kontrolli i lartë i shtetit dhe Prokuroria e Përgjithshme që të ndëshkojnë zyrtarët e lartë të përfshirë në korrupsion dhe të mos mjaftohen me nëpunësit e vegjël. Këto komente ai i bëri gjatë ceremonisë së nënshkrimit të një marrëveshjeje mes këtyre dy institucioneve të cilat ai i konsideroi si dy nga kolonat e luftës kundër korrupsionit.

Gjatë gjithë këtyre viteve, Kontrolli i Lartë i shtetit është vënë në qendër të vëmendjes vetëm kur një herë në vit i është dashur të raportojë përpara parlamentit duke shpalosur shifra disa milion dollarëshe me abuzime të fondeve publike.

Për një kohë të gjatë, marrëdhëniet e këtij institucioni kanë qenë ato të kalimit të përgjegjësisë për ndëshkimet e pakta ndaj zyrtarëve shtetërorë. Në shumicën e rasteve prokuroria është ankuar se denoncimet e mbërritura nga kontrolli i shtetit kanë qenë për cështje të papërfillshme në krahasim me realitetin e abuzimeve.

Sot drejtuesit e dy institucioneve me nismën e Presidentit Alfred Moisiu nënshkruan një marrëveshje për forcimin e bashkëpunimit mes tyre. Sipas presidentit, ardhja ne krye të Kontrollit të shtetit të zotit Robert Çeku ka sjellë ndryshime të dukshme.

Të dy këto institucione tha presidenti Moisiu, janë kolonat e luftës kundër korrupsionit, prandaj u shpreh kreu i shtetit, duhet të jenë më konkretë, më të vendosur e më agresivë që paratë e popullit të përdoren në destinacion dhe sipas rregullave në fuqi.

"Këto dy institucione të rrisin bashkëpunimin në mënyrë të tillë, që materialet e paraqitura për ndjekje penale të kujtdoqoftë që bën shkelje, të mos mbeten në sirtare, por të shkojnë deri në fund. Të mos merren me reshterë dhe kapterë, por të merren me gjeneralë, domethënë, me ata që janë në krye të punëve, sepse në qoftë se ata janë rigorozë dhe striktë në kërkesë të zbatimit të ligjit dhe të rregullit, sigurisht, reshterët dhe kapterët nuk kanë çfarë të bëjnë," deklaroi presidenti.

Marrëveshja e sotme vjen në një moment kur tema e korrupsionit është kthyer në kryeçështjen e zgjedhjeve që po afrojnë. Opozita syonon të ketë një ndër kuajt kryesorë të betejës elektorale, me akuzat për nivele të larta korrupsioni dhe me premtimin e një lufte të ashpër ndaj nëse kthehet në pushtet.

Nga ana e tyre socialistët e pranojnë fenomenin por deklarojnë se për ta ka qenë një ndër prioritetet duke ofruar edhe shifra të padëgjuara më parë se kanë denoncuar 18 mijë nëpunës të të gjitha rangjeve.

XS
SM
MD
LG