Lidhje

Britani: Kryeministri Blair fiton mandatin e tretë


Kryeministri britanik Tony Blair i dha Partisë së tij Laburiste një fitore të tretë radhazi në zgjedhjet parlamentare – një rekord ky për këtë parti, megjithëse shumica laburiste në parlament do të jetë mjaft më e vogël se sa më parë. Korrespondenti ynë në Londër Michael Drudge na sjell këto hollësi të tjera.

Zoti Blair i shtohet tani ish-udhëheqëses së Partisë Konservatore, Margaret Thatcher si i vetmi kryeministër britanik që fiton tre zgjedhje të përgjithshme radhazi.

Por fitorja për zotin Blair ka edhe një shije të hidhur sepse votuesit u thanë "jo" shumë prej kandidatëve laburistë në pjesë të ndryshme të vendit, dhe sepse vendimi i zotit Blair për të marrë pjesë në luftën e Irakut i shkaktoi dëme partisë së tij.

Pas takimit me Mbretëreshën Elizabetë për të konfirmuar rizgjedhjen si kryeministër, zoti Blair deklaroi përpara vendit se e kupton që lufta në Irak pati një ndikim të madh mbi zgjedhjet.

"E kuptoj se Iraku u bë një çështje thellësisht përçarëse në vend. Kjo ishte diçka shumë, shumë e qartë. Por e di gjithashtu dhe besoj se pas këtyre zgjedhjeve, njerëzit kërkojnë të shohin përpara, ata dëshirojnë të përqendrohet tek e ardhmja në Irak dhe këtu, në vend."

Rivali kryesor i zotit Blair, Michael Howard i Partisë Konservatore, ka shpallur se me humbjen e tretë radhazi të partisë së tij ndaj laburistëve, ai do të japë dorëheqjen si udhëheqës i saj.

"Unë jam tani 63 vjeç. Pas katër ose pesë vjetësh, kur të mbahen zgjedhjet e ardhëshme do të jem 67 ose 68. Mendoj se do të jem tepër i moshuar për të udhëhequr partinë që ajo të vijë në fuqi."

Njoftimi i tij i hap rrugën ndryshimit të pestë në udhëheqjen e konservatorëve qysh nga viti 1997. Dikur ishin konservatorët që dominonin politikën britanike por në zgjedhjet e fundit ata nuk kanë arritur të marrin më shumë se një të tretën e votave.

Për Partinë Laburiste, vemendja tani do të përqendrohet tek rrugët që do të gjejë zoti Blair për të qeverisur në kushtet kur partia e tij ka humbur në parlament rreth 100 vende. Disa nga deputetët laburistë me prirje rebelimi, parashikojnë se zoti Blair do ta ketë të vështirë të sigurojë miratimin në parlament të disa prej propozimeve të tij polemike, siç është ai për kartat e identifikimit apo për mbajtjen në arrest shtëpie për një kohë të papërcaktuar të njerëzve të dyshuar për terrorizëm.

Gjithashtu, imazhi i zotit Blair do të jetë më pak i fuqishëm se sa më parë për kundërshtarët e tij pasi ai ka deklaruar se këto ishin zgjedhjet e fundit në të cilat merrte pjesë. Ai thotë se ka në plan ta çojë deri në fund mandatin e tij të tretë, por qysh tani janë shprehur hamendje se atij mund t’i duhet t’ja dorëzojë postin pas një ose dy vjetësh pasuesit të tij të qartë, Ministrit të Financave, Gordon Brown.

XS
SM
MD
LG