Lidhje

Nga Bennifer tek Brangelina: Mahnitja me çiftet e famshme


Kur bëhet fjalë për yjet e Hollivudit, sa më të bujshme të jenë thashethemet, aq më mirë. Nëse ju kujtohet ende shprehja Bennifer, mbase tani duhet të mësoheni me një gjetje tjetër: Brangelina. Tani të gjithë jemi mësuar me parfume që mbajnë emrat e aktorëve të famshëm, por si filloi kjo prirje? Sot në minutat e Hollivudit, do t’ju njohim edhe me një libër të ri të shkruar nga një emër i njohur i kinemasë dhe me një turne të një këngëtari që njihet jo vetëm për artin, por edhe për aktivizmin e tij.

Aq shumë pati sukses shprehja Bennifer për romancën e Ben Affleckut me Jennifer Lopezin, saqë megjithëse ata nuk janë më çift dhe në krah të aktorit është tani një Jennifer tjetër, shtypi sensacionalist po gjen kombinime emrash për çifte të tjera.

Tani kemi për shembull Brangelina. Bëhet fjalë për Angelina Jolie-në dhe Brad Pittin. Megjithëse asnjëri nga dy protagonistët e filmit Mr. & Mrs. Smith nuk kanë pohuar të kenë ndonjë marrëdhënie, një valë spekullimesh dhe disa fotografi komprometuese të pushimeve në Afrikë të të dyve, tregojnë se çifti e ka kaluar fazën platonike.

Revista US weekly, thuhet se ka paguar 500 mijë dollarë për fotografitë në breg të detit, duke konfirmuar faktin se për shtypin ata janë çifti më tërheqës në botë. Kjo magjepsje ka lidhje pjesërisht me faktin që, sipas thashethemeve, Pitt la gruan e tij të bukur Jennifer Aniston për aktoren seksi Angelina. Që nga koha e Benniferit, Brangelina është bashkimi që ngjall më shumë interes nga bota e Hollivudit.

Por gara është e fortë: një çift tjetër i famshëm ka dalë në skenë: Tom Cruise dhe Katie Holmes, ose Crolmes. Megjithatë kritikët më cinikë të Hollivudit e kanë vënë në dyshim këtë lidhje, duke hedhur tezën se të dy aktorët e shohin këtë marrëdhënie si një mjet për rritjen e interesimit për dy filma të rinj të verës ku ata janë protagonistë. Por kritikët thonë se Brad dhe Angelina, janë çift më i bujshëm. Ndërsa marrëdhënia mes të dyve forcohet, nuk është e vështirë të shihen paralelet me filmin Mr. & Mrs. Smith, ku ata interpretojnë një çift të martuar, secili vrasës me pagesë, pa e dijeninë e partnerit. Thashethemet për romancën mes tyre filluan pikërisht gjatë xhirimeve të filmit.

Yje dhe parfume

Sot për yjet e kinemasë është bërë e domosdoshme që të kenë parfumet me emrat e tyre. Por para se kjo të kthehej në diçka të zakonshme, ishte aktorja e madhe Elizabeth Taylor që e hapi një rrugë të tillë, kur krijoi Shtëpinë Taylor, e cila gjatë dy dekadave të fundit është kthyer në një perandori miliona dollarësh parfumesh. Mes emrave më të njohur të parfumeve janë: Passion, Forever Elisabeth, Gardenia dhe më i shituri White Diamonds. Elizabeth Taylor, 73 vjeç dhe dy fituese e çmimit Oscar ishte mretëresha e kinemasë në vitet 1958-68, duke i mrekulluar shikuesit me bukurinë e saj. Karriera e saj pësoi rënie në vitet 1970 me një radhë filmash të pasuksesshëm. Jeta e saj ka qenë një furtunë dashurish, marteshash të dështuara dhe problemesh të shumta shëndetësore.

Goldie Hawn shkruan një libër

Tani është bërë diçka e zakonshme që aktorët të bëhen në një moment të caktuar shkruajnë libra. Në këtë valë, edhe aktorja Goldie Hawn ka shkruar një libër për një pjesë të jetës së saj, të titulluar Një zambak uji rritet në baltë. Ajo nuk trajton në faqet e tij thashethemet për familjen dhe të kaluarën e saj në Hollivud dhe përqendrohet në atë që e quan një udhëtim shpirtëror përmes së cilit ajo ka kaluar që nga një vajzë e vogël që nuk binte në sy, në statusin e një ylli Hollivudi e deri në vizitën në një manastir budist të Indisë. Goldie e mori frymëzimin për titullin nga një takim me një murg tibetian, që kishte përdorur shembullin e zambakut të ujit si simbol të shpirtit njerëzor dhe kishte thënë se mund të rritej vetëm kur haste sfida dhe vështirësi të mëdha në jetë. Pak a shumë me një rrjedhë kronologjike, ngjarjet fillojnë nga fëmijëria, tek mësimet e baletit, karriera si aktore, për të kaluar tek martesa e parë dhe marrëdhënia e gjatë me aktorin Kurt Russell dhe tek fëmijët e saj. Në fakt më shumë se sa rrëfim i thjeshtë i ngjarjeve, aktorja përdor kujtimet e saj për të diskutuar emocione dhe filozofi të veçanta.

Springsteen, turne për albumin e fundit

Bruce Springsteen po e shënon nxjerrjen në qarkullim të albumit të tij të fundit Devils and Dust, me turne në Shtetet e Bashkuara dhe Evropë, duke përdorur një set akustik. Ylli 55 vjeçar i Rockut dha një koncert para disa ditësh në Teatrin Historik Pantages në Hollivud. Ai këndoi 27 këngë, mes së cilave shumicën e 12 këngëve të albumit të ri, që u içizua pa shoqërimin e bandës së tij E street. Devils and Dust, është albumi i 19-të i Brucit.

XS
SM
MD
LG