Lidhje

Shkrimtarët bashkëkohorë gjejnë një tribunë për përkthimin e librave të tyre


Instituti Ndërkombëtar i Letrave Moderne po i prezanton një audience më të gjerë punën e shkrimtarëve bashkëkohorë, përfshirë disidentët politikë. Mike O’Sullivan njofton nga Los Angeles se ky projekt është një përpjekje për të zgjeruar spektrin e zërave në letërsinë botërore.

Erik Olsen, një shkrimtar dhe redaktor i vjetër, dëgjoi në një konferencë letrare kritikën se shtëpitë botuese amerikane mundohen t’i shmangin shkrimtarët e huaj, me përjashtim të atyre që janë shumë të njohur.

“Një person njoftoi në konferencë së në Amerikë nuk ka shumë përkthime të botuara sepse ne amerikanët jemi një komb provincial. Sipas mendimit tim, kjo ka të bëjë me anën ekonomike. Kostoja e përkthimit e zhduk çdo mundësi për nxjerrjen e fitimit.”

Këtu luan rolin e tij Instituti Ndërkombëtar i Letrave Moderne. Me zyra në Las Vegas dhe në Uillmington të Zelandës së Re, ky institut u krijua 5 vjet më parë nga drejtuesi i hoteleve dhe kazinove, Glen Shefer dhe ka për qëllim subvencionimin e përkthimit të librave të huaj. Kjo bën të mundur që shtëpitë botuese të nxjerrin fitime nga botimi i librave.

Ky projekt do të bëjë të mundur përkthimin e 6 deri në 8 librave në vit nën emrin Rainmaker Translations, në bashkëpunim me 4 shtëpi botuese.

Sapo janë botuar dy libra të përkthyer. Njëri titullohet “Porta e Mesnatës”, një përmbledhje e shkrimeve të poetit disident kinez Bei Dao. Tjetri është një novelë e autorit rus, Juri Ritkhiu, i titulluar “Një Ëndërr në Mjegullën Polare”.

Zoti Olsen thotë se këta dy libra tashmë të njohur në disa pjesë të Evropës, shtjellojnë tema të rëndësishme për misionin e institutit.

“Ngjarjet e novelës zhvillohen në Siberinë e fillimit të shekullit të 20-të dhe bëjnë fjalë për një përplasje kulturash midis popullatës autoktone të Siberisë lindore, çaki dhe gjuetarëve kanadezë të balenave. Novela flet për përplasje dhe për pajtim. Është pikërisht ajo që ne duam të arrijmë sot, por në një shkallë më të gjerë, një dialog ndërmjet kulturave të ndryshme. Kjo novelë përshtatet në mënyrë të shkëlqyer.”

Ndërmjet projekteve të ardhshme të Institutit Ndërkombëtar të Letrave Moderne mund të numërojmë biografinë e artistit dhe shkrimtarit disident kinez, Er Tai Gao, i cili sot jeton në Las Vegas me një rrogë nga programi Cities of Asylum i cili subvencionon shpenëzimet e jetesës për shkrimtarët e persekutuar, në mënyrë që t’ju jepet mundësia për të vazhduar të shkruajnë. Instituti Ndërkombëtar i Letrave Moderne drejton zyrën e këtij programi në Las Vegas.

Instituti po planifikon përkthimin e punës së shkrimtares gjermane të lindur në Hungari, Terezia Mora. Zoti Olsen thotë se do të përkthehen edhe veprat e një poeti amerikan bashkëkohor, Robert Krili në gjuhën kineze. Projekti i fundit është quajtur art në të dy drejtimet.

Ai thotë gjithashtu se qëllimi i të gjithë këtyre veprimtarive është nxitja e dialogut midis lexuesve dhe shkrimtarëve botërorë, për të kapërcyer kështu pengesat gjuhësore që i ndan ata.

XS
SM
MD
LG